Grupi për Ballkan: Shkarkimi i Presidentit, në varësi të përkufizimit “shkelje e rëndë” e Kushtetutës

07 korrik 2021 | 11:25

Grupi për Ballkan ka analizuar në hollësi situatën e krijuar në Republikën e Shqipërisë, pas shkarkimit nga Kuvendi të Presidentit Ilir Meta, duke përmbledhur skenarët e mundshëm të zgjidhjes së kësaj situate. Marrë parasysh se vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka shkaktuar mjaft tension në Shqipëri, tashmë e gjithë vëmendja është e drejtuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila brenda 3 muajve duhet të vendosë nëse Presidenti do të shkarkohet, apo do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij.

Meqenëse Kuvendi e ka shkarkuar Presidentin Ilir Meta, me arsyetimin për “shkelje të rëndë” të Kushtetutës dhe në mungesë të përkufizimit kushtetues dhe ligjor të këtij termi, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, duhet të përcaktojë para së gjithash kuptimin e termit “shkelje e rëndë” e Kushtetutës. Në këtë paqartësi totale, madje dhe terminologjike, ka shumë të ngjarë që Gjykata Kushtetuese të kërkojë paraprakisht opinionin e Komisionit të Venecias.

Është ende e pasigurt se çfarë do të ndodhë pas një vendimi të mundshëm të Gjykatës. Skenarë të ndryshëm janë të mundshëm, ndërsa i gjithë procesi do të jetë një sfidë politike dhe ligjore. Kjo do të jetë rezultat i mungesës së qartësisë kushtetuese dhe ligjore, dhe po ashtu mungesës së precedentëve, duke qenë se ky është rasti i parë që ndodh në Shqipëri, që pas rënies së sistemit komunist.

Përkufizimi i termit “shkelje e rëndë” e Kushtetutës dhe afati kohor për zgjedhjen e Presidentit, nëse vendoset për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, përbëjnë dy sfidat më të mëdha për Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendin. Mirëpo, duke nxjerrë në pah këto mangësi kushtetuese dhe ligjore, ky rast do të shërbejë si bazë për përmirësimin e rregullave në procedurën e zgjedhjes së Presidentit dhe si precedent për rastet e ngjashme që mund të ndodhin në të ardhmen.

Meqë ky është rasti i parë që ndodh në Shqipëri, vështirësitë dhe paqartësitë që ndërlidhen me të do të krijojnë nevojën për ndryshime të mundshme të Kushtetutës dhe/ose ligjeve përkatëse në të ardhmen, me qëllim që të plotësohen boshllëqet aktuale dhe të parandalohen krizat e ardhshme institucionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vashat e Kosovës U20 po vazhdojnë përgatitjet, ku garat po…