Guardiola: Në Stamboll për ta bërë ëndrrën realitet 

07 qershor 2023 | 13:00

Manchester City rikthehet në finalen e Ligës së Kampionëve pas dy viteve mungesë. Kampioni në fuqi i Anglisë do të përballet me gjigantin italian Inter, që gjithashtu kërkon triumfin e madh në Stamboll. E për këtë duel shumë të rëndësishëm për të dyja skuadrat ka folur trajneri i Cityt, Pep Guardiola, duke thënë se shkojë në Stamboll për ta bërë ëndrrën realitet.

“Jemi kthyer atje ku ishim dy vjet më parë. E rëndësishme është të jesh atje pas disa vitesh. Kjo është ajo që e bën një klub një klub të madh. Këtu mësova se emocioni i tepërt nuk është për ne. Do të shkojmë në Stamboll për të bërë realitet një ëndërr dhe do të përpiqemi të bëjmë një lojë të mirë”, ka thënë Guardiola, i cili ende nuk e ka harruar finalen e humbur nga Chelsea, teksa thotë se ka arritur mjaftë sukses deri më tani në Ligën e Kampionëve. “Ne patëm mundësinë dy vjet më parë, nuk ia dolëm. Këtë vit do të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Si trajner, kam arritur në dhjetë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe kam arritur në tri finale, duke fituar dy me Barcelonën. Jam në finalen time të katërt si trajner. Liga e Kampionëve më ka dhënë më shumë sesa mund ta imagjinoja. Futbolli jep dhe merr. Jeta është plot me padrejtësi, por gjithçka që është e padrejtë për mua është e drejtë për Atleticon e Madridit, për Realin dhe gjithashtu për Barcelonën”, ka shtuar Pep.

“Kështu shkon Bota. Ne duam gjithmonë e më shumë… dhe kjo është e gabuar. Duhet të jesh ambicioz… por jo lakmitar. Shumë klube kanë shkatërruar projekte dhe ide sepse nuk arritën ta fitonin Ligën e Kampionëve. Të tjerët u bënë klube të mëdha sepse ia dolën. Edhe nëse nuk mendoj kështu, e kuptoj se gjithçka që kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve do të ketë kuptim për të tjerët vetëm nëse fitojmë”.

“Nëse nuk fitojmë, gjërat do të duket se do të kenë më pak kuptim: do të jetë pak e padrejtë, por duhet ta pranojmë. Ne gjithashtu duhet të pranojmë se, nëse duam të bëjmë një hap përfundimtar dhe të jemi një klub i madh, duhet të fitojmë në Evropë. Duhet të fitojmë Ligën e Kampionëve”, ka deklaruar Guardiola.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknokologjisë dhe Informacionit (MASHTI) në mbledhjen…