“Gulistan”-i kërkon lirimin e të arrestuarve, pasi thotë se ende janë në aeroportin e Prishtinës

29 mars 2018 | 18:46

Bordi i Aksionarëve të QEA “Gulistan” ka dërguar një reagim për media ku kërkojnë që të lirohen menjëherë gjashtë shtetasit turq të arrestuar nga organet e Kosovës.

Është raportuar se ata tashmë ata janë deportuar për në Turqi, por nga bordi i “Gulistan”-it thonë se ata gjenden ende në aeroportin e Prishtinës.

Në reagimin e këtij bordi për medie është theksuar se drejtuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në mënyrë të ligjshme kanë qëndruar në Kosovë.

“Po ndjekim me shumë shqetësim zhvillimet e ditës së sotme në Republikën e Kosovës, ku një nga aksionarët dhe disa prej drejtuesve të Institucionit Arsimor QEA ‘Gulistan’ janë ndaluar në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shtetasit e ndaluar nga organet policore, janë rezident të ligjshme dhe me një aktivitet ndër vite, konform ligjeve të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo situatë e paprecedente krijuar me ndalimin e aksionerit kryesor, Mustafa Erdem, si dhe drejtuesve të shkollave, ju bëjmë me dije se pasojat çojnë në paralizimin e aktivitetit të të gjitha institucioneve arsimore në varësi të QEA ‘Gulistan’. Për pasojë, të dëmtuarit kryesorë nga ky akt joligjor janë nxënësit dhe familjet e tyre”, është theksuar në reagimin e Bordit të Aksionarëve të QEA “Gulistan”.

Më tej në reagim kërkohet ndërhyrja e menjëhershme të të gjitha institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Kosovës për të evituar dëmet e mëtejshme të këtij veprimi të padenjë për Republikën e Kosovës. “Bordi i Aksionarëve po ndjek nga afër këtë situatë dhe kërkon vënien para përgjegjësisë te të gjithë personave të cilët me veprimet ose mosveprimet e tyre të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë dhe turpëruese për imazhin e Republikës së Kosovës. Kërkojmë lirimin e menjëhershme të të gjithë të ndaluarve për të kthyer në normalitet aktivitetin arsimor sepse në dijeninë tonë ata janë ende në Aeroportin e Prishtinës”, është thënë në reagimin e Bordit të Aksionarëve të QEA “Gulistan”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia ka kërcënuar Maqedoninë me pasoja nëse anëtarësohet në NATO.…