Guvernatori Ismaili kërkon nga politikanët të mos përzihen në punët e BQK-së

14 shkurt 2024 | 16:43

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka kërkuar që politikanët të mos përzihen në punën e BQK-së, meqë sipas tij, kështu nuk mund të zgjidhen çështje që janë në interes të vendit tonë.

“Kanë mjaft tema ata, nëse mbetet në dorën e politikanëve të vendosin për sistemin financiar të një vendi, tashmë mund të them se ai sistem nuk do të ketë perspektivë. Jo se politikanët janë njerëz të këqij, ata kanë punën e tyre, ne kemi tonën”, ka thënë Ismaili në një intervistë për portalin serb me seli në Kosovë, “Kossev”.

Ismaili ka bërë me dije se pas rregullores së re të BQK-së që ka ndalur përdorimin e valutës shtetërore serbe në territorin e Kosovës për shit-blerje dhe transaksione financiare, i ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë, ku konfirmohet gatishmëria për të gjetur një zgjidhje në interesin më të mirë të qytetarëve.

“Nuk ka nevojë që politika të merret me Bankën Qendrore as në Kosovë e as në Serbi, ne i kemi institucionet tona, Banka Qendrore e Serbisë është partneri ynë. Unë pata rastin të informoj personalisht guvernatorin e Bankës Qendrore të Serbisë në një bisedë shumë të mirë në Frankfurt ku ishim bashkë në një takim vitin e kaluar në Bankën Qendrore Evropiane. Nuk shoh ndonjë dallim mes nesh sa i përket aspektit profesional dhe nuk shoh ndonjë pengesë pse të mos bashkëpunojmë në interes të qytetarëve tanë”, ka potencuar Ismaili.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
New Basket është finalisti i dytë në Kupën e Ligës…