Haaland i dëshpëruar me Man Cityn: Kur humb, fillon të vësh gjithçka në dyshim
Erling Haaland nuk e ka fshehur pakënaqësinë me formën e dobët të Manchester Cityt, pas barazimit 2-2 ndaj Napolit në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi norvegjez ka pranuar se rezultatet e fundit kanë ndikuar edhe në besimin e futbollistëve.
“U përpoqëm të ushtronim presion, por nuk ia dolëm. Nuk ishte e mjaftueshme. I lejuam kundërshtarët të kishin shumë hapësirë dhe nuk arritëm ta kontrollonim ndeshjen apo të sulmonim ashtu siç dëshironim”, ka deklaruar Haaland për “TNT Sports”.
Ai e ka pranuar se periudhat pa fitore sjellin dyshime brenda skuadrës.
“Kur fiton, gjithçka është e lehtë dhe e di saktësisht çfarë duhet të bësh. Kur humb, fillon të vësh gjithçka në dyshim”, është shprehur norvegjezi.
Megjithatë, Haaland beson në potencialin e skuadrës dhe kërkon reagim nga të gjithë futbollistët.
Cityn tani e pret një sfidë shumë e vështirë ndaj Arsenalit në Premierligë, të cilën sulmuesi e ka cilësuar si “ndeshjen më të vështirë të sezonit”.



