Hajdin Abazi: Komuniteti serb në Australi ka bërë presion të mos akreditohem si ambasador për shkak se kam qenë në UÇK

20 maj 2021 | 11:38

Ambasadori i shkarkuar i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi pas shkarkimit të tij nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”.

Abazi ka bërë me dije se në kohën kur ai kishte dorëzuar kredencialet në Zelandën e Re, dhe ka qenë duke pritur edhe dorëzimin e kredencialeve në Republikën e Fixhit dhe Ishujt Kuk, i ka ardhur vendimi nga presidentja për shkarkim.

Madje “Lum Haxhiu” i luftës, ka treguar sesi mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që të mos akreditohet si ambasador për shkak se ka qenë pjesëtar i UÇK. Por Qeveria Australiane, megjithatë e ka akredituar – për çka edhe është shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik.

“Mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që të mos akreditohem unë si ambasador për shkak se kam qenë pjesëtar i UÇK. Por Qeveria Australiane, megjithatë, më akreditoi – për çka i jam shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik”, ka shkruan Abazi në “Facebook”

Postimi i plotë i Hajdin Abazit:

Të dashur miq,

Ju njoftoj se sot, në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra. Para tre muajsh, kam dorëzuar kredencialet në Zelandën e Re, dhe kam qenë duke pritur edhe dorëzimin e kredencialeve në Republikën e Fixhit dhe Ishujt Kuk.

Ka qenë një nder ta përfaqësojë Kosovën në këtë pjesë të botës, ku kuptova se sa i gabuar është trumbetimi i disa politikanëve në Kosovë se gjoja në botën perëndimore nuk i duan njerëzit e UÇK, por kjo nuk është e vërtetë. Guvernatori-Gjeneral Peter Cosgrove më 20 maj 2019 më priti me një respekt të veçantë pikërisht pse isha veteran i luftës çlirimtare të Kosovës.

Mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që të mos akreditohem unë si ambasador për shkak se kam qenë pjesëtar i UÇK. Por Qeveria Australiane, megjithatë, më akreditoi – për çka i jam shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik.

Çuditërisht, dy vjet më pas, m’u sot më 20 maj 2021, Qeveria e Kosovës përcjell dekretin që më liron nga detyra e ambasadorit, pikërisht në gjysmë të mandatit, që nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci!

I falënderoj për bashkëpunimin në këto dy vite shumë zyrtarë të dikastereve të MPJD, të cilët janë treguar gjithnjë të përkushtuar dhe efikas.

Kosova ka shumë sfida përpara, të cilave mund t’u dilet ballë vetëm me një politikë konstruktive, që respekton vlerat, punën, angazhimin dhe kontributin e secilit veç e veç, duke i ruajtur e çmuar ato e jo duke i konsideruar si kundërshtarë edhe kur nuk janë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj,…