Hajnat bëjnë kërdi në lagjen Qëndresa, vjedhin mijëra euro në një shtëpi

01 gusht 2023 | 13:01

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri. Shpeshherë cak i hajnave janë shtëpitë nëpër fshatra e qytete, por së fundmi ata ia kanë mësyrë edhe lagjeve luksoze në Prishtinë dhe përreth kryeqytetit, raporton Sinjali.

Rasti i fundit ka ndodhur në lagjen Qëndresa në Veternik, ku hajnat kanë bërë kërdi në një shtëpi. Të dyshuarit arritën të marrin para të gatshme e gjësende me vlerë nga shtëpia e një qytetari që banon në këtë lagje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se hajnat kanë arritur të depërtojnë me forcë në shtëpi, duke marrë mbi 11 mijë euro para të gatshme dhe më pas janë larguar pa lënë shumë gjurmë.

Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, që ka dhënë detaje se si hajnat u futën brenda duke thyer derën, derisa familja nuk ndodhej aty, periudhë kjo që u shfrytëzua nga të dyshuarit.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kanë kryer veprën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka paraqitur paraqitur kërkesë…