Hajnat e përcjellin pronarin e këmbimores në Prishtinë, ia vjedhin çantën me 20 mijë euro
Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet.
Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.
Me një ngjarje të tillë është ballafaquar së fundmi edhe pronari i një lokali ku bëhet këmbimi i parave në valuta të ndryshme, në rrugën ‘Dëshmorët e kombit’ në Prishtinë.
Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur derisa viktima ishte ndalur te vetura e tij për të hyrë, kur papritur një person ka dalë nga një veturë dhe ia ka marrë çantën me rreth 20 mijë euro e më pas janë larguar.
Të dyshuarit kanë arritur të ikin pa lënë ndonjë gjurmë, kurse viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje se si ndodhi ngjarja.
Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do ndërmerren posa të zbulohen dhe të kapen të dyshuarit.