Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku: Kur Kosova sfidohet, Kaçaniku vepron
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka zhvilluar një tubim elektoral në Kaçanik, nga ku ka përcjellë mesazhin për mobilizim qytetar dhe ndryshim në zgjedhjet e 7 qershorit.
Hamza ka vlerësuar rolin historik dhe kontributin e qytetarëve të Kaçanikut, duke theksuar se ky qytet ka qenë gjithmonë në anën e veprimit, punës dhe angazhimit për Kosovën.
“Kur Kosova sfidohet, Kaçaniku nuk rri anash. Nuk ka qëndruar kurrë anash. Ne bashkohemi më fort, punojmë më shumë dhe ecim përpara. Kjo është rruga jonë. Kaçaniku nuk pret. Kaçaniku vepron. Kosova nuk ndalet. Kosova ndryshon”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka ritheksuar se PDK-ja po ofron një program konkret për t’i dhënë fund krizës me të cilën po përballen qytetarët, përmes uljes së çmimeve dhe tatimeve, rritjes së pagave dhe pensioneve, investimeve në energji, infrastrukturë e teknologji, si dhe përmirësimit të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim.
Sipas Hamzës, zgjedhjet e 7 qershorit janë mundësi për t’i thënë STOP krizës dhe për ta orientuar Kosovën drejt zhvillimit, stabilitetit dhe shpresës.



