Hamza: Si kryeministër do ta realizoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan

04 qershor 2026 | 17:24

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka ritheksuar zotimin e tij për realizimin e projektit të lidhjes së Kosovës me gazin amerikan, duke e cilësuar atë si një hap strategjik për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hamza tha se pas mesazhit të qartë të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përsërit angazhimin e tij që, si kryeministër i ardhshëm, ta jetësojë këtë projekt.

Postimi i plotë në ‘Facebook’:

Për gazin amerikan kam folur edhe të shtunën. Sot, pas mesazhit të qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përsëris edhe një herë zotimin tim.

Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan.

Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme.

Për Partinë Demokratike të Kosovës, partneriteti strategjik me SHBA-në është jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër.

Gazi amerikan nënkupton më shumë siguri energjetike, më shumë investime, më pak ndotje dhe, mbi të gjitha, energji me çmime më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.

Koha për të vepruar është tani. Jo pas një krize tjetër. Jo pas një dimri tjetër me çmime rekord.

Kosova duhet të ecë përpara, krah për krah me aleatin e saj më të madh dhe më të besueshëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 🇽🇰🇺🇸

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Adelina Imeraj-Spahiu nga Gjakova, shpall të pavlefshme Licencën e…