Hamza u premton përfaqësuesve më të mëdhenj të bizneseve, reforma fiskale

20 shkurt 16:18

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të martën në takim  kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, kryetarin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, drejtorin ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, dhe Fadil Hoxhën nga Oda Ekonomike Gjermane.

Hamza në këtë takim ua ka dorëzuar atyre koncept dokumentin që ka të bëjë me reformat e legjislacionit që rregullojnë fushën e biznesit, si Ligji për tatimin në pronë, Ligji për korporatat, Ligji për tatim në fitim dhe të ardhurave individuale, kodi i dogano, si dhe Ligji për Administratën Tatimore dhe procedurat.

Ministri Hamza pas takimit ka deklaruar se efektet e masave të reja fiskale për vitin 2018, janë duke u zbatuar sipas planit.

Ai ka apeluar te përfaqësuesit e bizneseve që të kontribuojnë me rekomandimet e tyre deri më 5 mars.

Hamza ka folur dhe për masat mbrojtëse për produkte, por nuk bëri me dije se cilat produkte do të mbrohen. “Kemi grup produktesh që do të mbrohen në Kosovë nga importet e huaja, kryesisht nga ato aziatike. Ne përveçse kemi qëllim për t’i mbrojtur prodhuesit, kemi qëllim edhe për t’i mbrojtur qytetarët”, ka thënë ministri Hamza.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë duhet që të bëhen kampanja vetëdijësuese dhe mos të politizohen reformat fiskale, si dhe mos të amandamentohen ligjet të cilat shkojnë në favor të prodhuesve të caktuar.

Kurse, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, ka thënë se masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës do të jenë të favor të investitorëve të huaj. “Ne emër të Këshillit të Investitorëve Evropian e falënderoi ministrin Hamza për masat e ndërmarra”, është shprehur Balija.

Edhe kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se me këto masa të ndërmarra po krijohet një ambient më i mirë i të bërit biznes në Kosovë. Sipas tij, luftimi i ekonomisë informale duhet të jetë prioritet i Qeverisë që të kemi një treg të balancuar në Kosovë.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i Odës Gjermane Fadil Hoxha ka shprehur falënderimet e tij për reformat fiskale. Ai ka thënë se bizneset e huaja dhe investitorët, janë imazh i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

A.MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia e hetimeve të stacionit policor në Pejë në bashkëpunim…