Hani i Elezit komuna më transparente sa i përket shpenzimit të buxhetit për vitin 2020

24 tetor 2021 | 11:41

Instituti GAP sot publikoi raportin ”Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2020”.  Kështu komunat me transparencën më të lartë janë Hani i Elezit (100 pikë), Shtimja (86 pikë) dhe Mitrovica (85 pikë).

“Ndërsa, komuna e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit nuk kanë mbledhur asnjë pikë në indeks, duke mos publikuar asnjë dokument buxhetor apo organizuar ndonjë dëgjim buxhetor me qytetarë. Progres më të madh në transparencë buxhetore në vitin 2020 kanë komuna e Shtimes, Malishevës, Podujevës, Kaçanikut dhe Gjilanit. Ndërsa, ndër komunat që kanë shënuar regres janë Drenasi, Suhareka, Istogu dhe Ferizaj”, thuhej në njoftimin për media të Institutir GAP.

Tutje bëhej e ditur se përkundër obligimeve ligjore, një numër i konsiderueshëm i komunave vazhdojnë të mos i publikojnë dokumentet buxhetore siç kërkon legjislacioni në fuqi.

“Prandaj, për të rritur transparencën buxhetore në komuna, Instituti GAP rekomandon që MAPL të monitorojë dhe nxisë implementimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2020 për transparencë në komuna, konkretisht të vlerësoj nëse janë duke u publikuar dokumentet e kërkuara buxhetore nga komunat, dhe nëse të njëjtat janë publikuar në bazë të fushave në uebfaqen e komunës”.

Gjithashtu kërkohej që komunat t’i kushtojnë rëndësi formatit dhe cilësisë në të cilën i publikojnë dokumentet buxhetore, në mënyrë që t’ua lehtësojnë qytetarëve përdorimin e të dhënave. Raporti ofron një vlerësim të transparencës buxhetore të komunave në Kosovë, duke i renditur ato në bazë të performancës më të mirë.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Britania ka regjistruar këtë javë numrin më të lartë të…