Hapet ekspozita “Mitrovica Print 2020”

06 nëntor 2020 | 13:54

Në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë lumit Ibër është bërë hapja  e ekspozitës  së Bienales së parë Ndërkombëtare të Grafikës “Mitrovica Print 2020” ku janë ekspozuar punimet artistike  të 60 artistëve nga 15 shtete të botës.

Në praninë e shumë artdashësve, artistëve dhe qytetarëve, hapjen e kësaj ekspozite e ka bërë nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, i cili e ka cilësuar këtë ekspozitë të një rëndësie të veçantë, të nivelit ndërkombëtare e të pasuruar me vlera dhe vepra të larta artistike.

“Ky eveniment mund të cilësohet si njëri nga aktivitetet më të rëndësishme në fushën e kulturës dhe artit pamor, sepse sonte po i shohim punimet artistike të mese 60 artistëve  nga 15 shtete të botës. Dua ti përgëzoj të gjithë artistët për rolin dhe kontributin e tyre andaj shpresoj që ky organizim të jetë i përvjetshëm e shpresoj që viti i ardhshëm të jetë akoma më madhor sepse të gjithë jemi dëshmitarë që shfaqja e pandemisë në këtë vit e ka kufizuar punën në shumë fusha”, ka thënë Mujka.

Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, pasi ka folur për rëndësinë e kësaj ekspozite, si të parën e llojit të tillë në Kosovë, ka falënderuar të gjithë artistët ndërkombëtare të cilët e begatuan këtë ekspozitë dhe qytetin e Mitrovicës me vepra të mirëfillta artistike.

Juria profesionale pasi ka shqyrtuar të gjitha punimet e ekspozuara me rastin e Bienales së parë Ndërkombëtare të Grafikës “Mitrovica Print 2020”, ka ndarë çmimin e parë për Fatmir Krypa nga Kosova, çmimi i dytë për artistët Silvia Beruezo nga Argjentina dhe Agata Perzynski nga Polonia, ndërsa çmimi i tretë është ndarë për Kalina Milanova nga Bullgaria dhe Shpend Bengu nga Shqipëria.

Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës është mbështetur nga Komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të investimeve komunale për përmirësimin e infrastrukturës rrugore,…