Hapja e kufijve, shtetet e BE në pikëpyetje për Italinë

02 qershor 2020 | 10:12

Vera nisi zyrtarisht, por sezoni turistik në Europë vazhdon të shoqërohet me shumë pikëpyetje. Ndërsa shumë shtete bëhen gati të hapin kufijtë, mungesa e rregullave të përbashkëta përbën një sfidë për turistët.

Pjesa më e madhe e vendeve anëtare kanë caktuar 15 qershorin, si ditën kur do të lejojnë sërish lëvizjen e lirë mes vendeve të bllokut, por ajo nuk do të jetë ashtu si në normalitetin e dikurshëm.

Gjermania ka thënë se do të hapë kufijtë për të gjitha shtetet e zonës Shengen dhe Zvicrën nëse situata me koronavirusin nuk do të përkeqësohet, duke hequr gjithashtu paralajmërimet për të mos udhëtuar në shtete të prekura, si Italia dhe Spanja.

Por rregullat ndryshojnë nga vendi në vend dhe jo të gjithë janë të gatshëm t’i hapin kufijtë për të gjithë. Italia dhe Spanja janë ato që frikësojnë më shumë.

Nga 3 qershori, Italia lejon udhëtimet nga anëtarët e tjerë të BE, por shumë po hezitojnë t’i hapin dyert për italianët e prekur rëndë nga kriza shëndetësore.

“Unë jam përkrahës i madh i lirisë së udhëtimit, por prapë duhet të jemi të kujdesshëm me Italinë”, tha Rudolf Anschober, ministër i Shëndetësisë në Austri.

Gjithashtu, Zvicra rekomandon qytetarët e saj të mos udhëtojnë për në Itali dhe për momentin vazhdon ta mbajë kufirin të mbyllur. Greqia ka lënë italianët dhe spanjollët jashtë listës me shtetasit që do të lejohen të udhëtojnë në këtë vend gjatë muajit qershor e gjithashtu Portugalia ka thënë se nuk do të mirëpresë turistët nga këto vende.

Italia nuk do ta pranojë një situatë të tillë e ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet nëse do të lihet jashtë edhe për shumë kohë. Sa i përket qarkullimit më vendet e treta, Bashkimi Europian do të marrë një vendim në mesin e qershorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen mes protestuesve dhe policëve në…