Haradinaj e Maxhuni kërkojnë zbatim të ligjit në rastin e rrahjes së Agron Mustafës

16 janar 2018 | 22:12

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka kërkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës që të zbatohet ligji në rastin e përfshirjes në rrahje ndaj drejtorit të PTK-së, Agron Mustafa, të drejtorit të krimeve ekonomike, Nazim Sahiti.

“Ditën e ngjarjes ne kemi zhvilluar një takim unë edhe drejtori, në atë takim unë i kam kërkuar drejtorit që të zbatohet ligji, atë çka thotë ligji dhe që atëherë me sa unë e di janë disa procedura që ndodhin. Këtë ia kam kërkuar edhe ministrit të Rendit”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë se Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) do të kryejë punën e vet mbi bazën e autorizimeve ligjore sa i përket këtij rasti.

“Referuar atij incidenti, Policia e Kosovës natyrisht që mbi kompetencat që i ka, kur dyshimet janë të ngritura se zyrtarët e saj janë të involvuara në incidente, e ka për obligim që të komunikojë me institucionin relevante, kompetent siç është Inspeksioni Policorë i Kosovës. Ashtu, siç është e përcaktuar edhe me ligj që të fillojë procedurën e nevojshme të karakterit hetimor, siç është e përcaktuar. Natyrisht sikurse në secilin rast tjetër, ku ne kemi komunikuar, kemi bashkërenduar aktivitetet me IPK-në edhe në këtë rast është vepruar njëjtë. Qysh nga dita e incidentit, ne kemi pasur komunikim me IPK-në dhe unë jam i prirur të besoj se ai autoritet do të kryejë punën e vet mbi bazën e autorizimeve ligjore që është i ngarkuar çdo herë, duke besuar se veprimet edhe nga institucionet tjera do të jenë të ndërmarra mbi bazën e fakteve dhe argumenteve që ata i gjejnë për individ të cilët supozohet se kanë qenë në incident”, deklaroi ai.

Ai shtoi se dëshiron ta ritheksojë se autoriteti përkatës IPK-ja në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, është duke e trajtuar këtë rast dhe ne presim epilogun nga këto dy institucione.

Drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, bashkë me një zyrtar tjetër policor janë përfshirë në përleshje fizike me drejtorin e Postës së Kosovës, Agron Mustafa, ku në publikimin e xhirimeve, shihet se Mustafa është rrahur keq nga zyrari policor, i ndihmuar nga Nazim Sahiti. (KP)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, ka detyruar…