Haradinaj flet për punësimet në administratë dhe Qeveri

10 janar 2019 | 14:39

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në vitin 2019 do të jetë prioritet ekonomia. Ai ka theksuar se nuk është përmbyllur ende reforma për lirimin e bizneseve nga ngarkesat tatimore.

Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë një takimi me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane. Pas komenteve të komunitetit të bizneseve se sektori publik dhe Qeveria është bërë vend tërheqës për punësime, ndërsa sektori privat ka mbetur jo tërheqës, Haradinaj ka komentuar edhe punësimet në administratë e Qeveri.

“Te pagat s’ka pasur ligj të pagave, pra është hera e parë që do të ndodhë shumë shpejt ligji për pagat, me gjithë defektet që mund t’i ketë. Punësimi në kabinetin qeveritar ka ndodhë në vazhdimësi, në Qeverinë Thaçi, në Qeverinë Mustafa, ndërsa me ardhjen time nuk janë më shumë se 40”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje, Haradinaj ka përmendur ndikimin ekonomik të taksës ndaj Serbisë. “Investimet e huaja, kemi investitorë të huaj, siç është ‘Bechtel Enka’, por pritet edhe një investitorë për energji elektrike siç është ‘Contur Global’. Pra, ky vit do të jetë i ekonomisë. Taksa ndaj Serbisë ndoshta ka qit probleme për disa importues, por ky vendim është politik. E kemi ditë që i ka disa ndikime të rënda për disa biznese në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga prodhuesit që të kenë kujdes për çmimet e produkteve, të mos i shtrenjtojnë, përcjell “Kosovapress”.

Ndërsa në lidhje me buxhetin e vitit 2019, Haradinaj ka thënë se Kuvendi është në pushim, dhe në fund të muajt do të mbahet një seancë për buxhetin.

“PSD-ja i ka disa kërkesa për buxhetin që besoj se do t’i realizojmë”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Arsenalit, Aaron Ramsey do të bashkohet me kampionët…