Haradinaj: FSK-ja nuk do ta zëvendësojë as KFOR-in dhe as NATO-n

01 nëntor 2018 | 11:05

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në konferencën e 9-të “FSK dhe Partnerët”, të organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK).

Në këtë konferencë, Haradinaj ka thënë se FSK-ja nuk do ta zëvendësojë as KFOR-in dhe as NATO-n, por se mirëpret një bashkëpunim me këto të dyja.

Ai ka theksuar se Kosovën e pret një proces i gjatë dhe i vështirë deri në tranzicion të FSK-së në ushtri.

Pjesë e fjalimit të Haradinajt:

Pozicioni i FSK-së është demokratik dhe është një proces gradual, ky tranzicion do të kontribuoj në sigurinë rajonale dhe globale, do të dëshmojë pjekurinë e gatishmërinë tonë për të marr përgjegjësi më shumë së bashku.

Nuk ka dyshim se tranzicioni do të siguroj shumëetni dhe profesionalizëm, e shumëetnia kërcënohet nga dhuna që është e papranueshme.

Është e papranueshme të kërcënohen njerëzit e pafajshëm, e familjet e pjesëtarëve të një organizate apo institucioni në shtetin tonë.

Disa qëndrime janë të rëndësishme të dëgjohen edhe një herë. FSK nuk do të zëvendësoj KFOR-in, e KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë, FSK nuk do ta zëvendësoj as NATO-n, prania e NATO-s është gjithmonë e mirëseardhur në shtetin tonë dhe ne dëshirojmë t’i bashkangjitemi kësaj organizate, dëshirojmë të shërbejmë me ju.

FSK me tranzicion do të jetë e gatshme të shërbej me forcat e juaja kudo në botë. Kurdo që ju thoni, ne jemi të gatshëm të shërbejmë, Kosova është e gatshme.

Duke parë këtë gatishmëri të Kosovës, mund të konfirmoj që mbështetja juaj për profesionalizmin, e praktikat e mirë të forcës janë të vlefshme dhe një investim i vlefshëm që keni bërë për Kosovën.

Ne jemi të gatshëm të bëhemi anëtar të Interpolit por edhe NATO-s.

Është një rrugë e gjatë përpara sepse tranizicioni është proces i gjatë, por kërkoj nga secili shtet i NATO të shfrytëzoj këtë rast dhe të ftoj Kosovën në ekipet tuaja.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, e pranon se ëndrra…