Haradinaj: Goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika
Ish kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme.
“Mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, me direktiva të Qeverisë në detyrë, nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie. Është goditje ndaj mijëra fermerëve që e dorëzojnë qumështin e tyre çdo ditë, ndaj qindra punëtorëve që sigurojnë bukën e familjeve të tyre dhe ndaj gjithë ekonomisë së vendit”.
“Në vend që t’i mbështesë prodhuesit vendorë, pushteti po i pengon, po i godet dhe po krijon pasiguri për investimet e tyre”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Kosova nuk ndërtohet duke mbyllur fabrika.
“Kosova ndërtohet duke mbrojtur prodhimin vendor, duke përkrahur fermerin, punëtorin dhe sipërmarrësin që investon e krijon vende pune”.
“Ftoj institucionet përgjegjëse të ndalin menjëherë çdo vendim arbitrar që rrezikon prodhimin vendor dhe mirëqenien e mijëra familjeve kosovare”, ka theksuar ai.



