Haradinaj: Jemi për një qeveri të unitetit edhe me LV-në, por pa Kurtin

05 korrik 2023 | 19:15

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar sot se do të diskutojnë me opozitën për mocionin e mosbesimit, ndërsa tha se tani nuk janë kushtet për të shkuar në zgjedhje.

Ai tha se në mbledhjen e kryesisë së AAK-së diskutuan për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar deri në zgjedhjet e ardhshme.

Pas takimit të Kryesisë së AAK-së, Haradinaj u shpreh se Qeveria Kurti po e rrezikon Kosovën.

Ai tha se vendosën që të krijojnë disa struktura për t’u përballur me gjendjen aktuale në vend.

Haradinaj tha se diskutuan si opsion edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar, që përfshin gjitha partitë politike, por jo kryeministër Kurti.

“Sipas bindjes sonë, nuk e kemi menjëherë luksin me shku menjëherë në zgjedhje, sipas bindjes tonë, pra diskutuam si opsion edhe mundësinë e një qeverie të unitetit kombëtar, pra të unitetit kombëtar, ku do të ishin të gjitha partitë politike përfshirë edhe VV-në. Pra një qeverie të ardhshme pa Kurtin deri në zgjedhjet e ardhshme, por që do ta kthente Kosovën në normalitet, pra në agjendën euro-atlantike, rrugën tonë euro-atlantike, që është e vetmja rrugë për Kosovën edhe të kthimit të mirëbesimit dhe prosperitetit për vendin. Është e pakuptimtë të vazhdojmë me u sjell normal në Parlament”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur takimin e parë…