Haradinaj: Osmani është presidente e Kurtit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se me zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentit, vendi është futur në monizëm, derisa ka shtuar se Osmani është presidente e kryeministrit Albin Kurti.
“E gjithë kjo është një tregues që për Kosovën nuk priten ato ditë të mira që i kanë premtuar, sepse kemi të bëjmë me një mashtrim dhe me një sistem që është i një partie. President, kryeministër, kryeparlamentar, kryetar partie është një njeri, është Albin Kurti, në një mënyrë ne po kthehemi në monizëm”, ka thënë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ai ka shtuar se mënyra sesi pozita siguroi kuorumin “dëshmon se vendin nuk e presin ditë të mira”.
“Dje u vërtetua që fituesit e rinj të zgjedhjeve kanë mungesë guximi që të veprojnë si e parasheh demokracia. Po ashtu, u treguan të zot dhe treguan se kanë prirje për kontrabandim të votës. Ajo që ka ndodhur nuk është në nderin e Kosovës dhe demokracisë tonë. Pra u zgjodh presidentja me kontrabandim të votave, me deputetë që për përfitime të atyre për atyshme, tjetërsuan vullnetin e votuesve të tyre”, ka potencuar Haradinaj, raporton “Kp”.



