Haradinaj, shteteve anëtare të BE-së: Jepini epilog çështjes së liberalizimit të vizave

28 mars 2019 | 12:54

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon, në Parlamentin Evropian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Një vullnet kaq i fuqishëm politik, që buroi sot nga Parlamenti Evropian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Evropian në Bruksel vitin e kaluar. Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe e dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Evropë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bënë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, siç ka thënë kryeministri “si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat”.

Haradinaj ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet e fokusuar në përkushtimin e saj për avancimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian, dhe u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme,…