Hoti godet qeverinë Kurti: Ndërprerja e energjisë në Kuvend tregon ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve

20 nëntor 2026 | 11:52

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar miratimin e masave për energjinë nga Kuvendi mbrëmë.

Ai ka bërë me dije se miratimi i këtyre masave dhe ndërprerja e energjisë në Kuvendin e Kosovës tregojnë se ku është katandisur qeverisja e LV-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ata që po merren me energjinë janë dështakë.

“Miratimi i masave për energji nga ana e Kuvendit mbrëmë, në orët e vona, ndërkohë që energjia elektrike u ndërpre edhe në Kuvendin e Kosovës, tregon po ashtu ku është katandisur qeverisja e këtyre dështakëve. Në vend të këtij vendimi për masa në energji, do të duhej të miratohej ndonjë kredi garantuese për KEK-un për ndërtim të termocentraleve të reja, apo miratim i ndonjë projekti me partneritet për termocentrale të reja”, ka shkruar ai, duke iu referuar dështimeve të Qeverisë Kurti.

“Dështimin e qeverisjes 6-vjeçare dhe varfërinë e mendimit politik të këtyre dështakëve e tregojnë kontratat për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut, si dhe blerjen e energjisë elektrike nga i njëjti vend me çmim deri në 10 vish më të lartë se kostoja e prodhimit të energjisë nga KEK-u. Sikur të mos anulohej projekti Kosova e Re, sot, pas gjashtë vitesh, do të furnizoheshim nga Termocentrali Kosova e Re me çmim fiks prej 80 euro për MWh. Sikur të mos anulohej projekti i gazit, ai projekt mund të ishte në finalizim e sipër”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kjo qeveri vendit i ka sjellë vetëm mjerim ekonomik.

“Kjo klasë politike ka sjellë vetëm mjerim ekonomik e politik për Kosovën. Në mungesë të çfarëdo projekti për ndërtim të termocentraleve të reja, ne sot e dimë se edhe për së paku 5 vite do të kemi të njëjtat probleme me energji. Pasojat e kësaj situate po i bartim të gjithë. Bizneset tona po bëhen jokonkurruese për shkak të kostove më të larta”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Selmin Hoxha, i cili është…