Haradinaj-Stublla: Ndryshimi i Kushtetutës rikthen idenë e shkëmbimit të territoreve

17 tetor 2020 | 15:43

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në “Twitter”, të shtunën, ka thënë se Kosova është e gatshme për dialog me Serbinë, por i ka cilësuar si “kërcënime dhe sulme paranojake” deklaratat për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Reagimi i ministres Haradinaj-Stublla vjen një ditë pas deklaratës së përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak i cili gjatë vizitës në Beograd, duke folur lidhur me mundësinë e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë që “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta” e Kosovës.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka shkruar se deklaratat e për ndryshime të Kushtetutës së Kosovës, “kanë për qëllim që të akomodojnë të ashtuquajturën ‘Republika e Dodikut’ në Kosovë”, me qëllimin e rikthimit të idesë “për shkëmbimin e territoreve me kufij etnikë, si më pak të rrezikshme” në këtë krahasim me formimin e Asociacionit.

Ajo ka theksuar që të dy këto ide do të dështojnë. Sipas saj, Kosova është e përkushtuar për dialog konstruktiv me Serbinë, i cili do të përfshinte “kërkim-faljen dhe drejtësinë për krimet gjenocidiale të Serbisë në vitet e ’90-ta dhe respektimin e mbi 33 marrëveshjeve teknike – me qëllim të arritjes së njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”.

Lajçak, kishte deklaruar në Beograd se ka biseduar me drejtuesit institucionalë dhe politikë të Kosovës dhe se, sipas tij, askush nga ta nuk i ka thënë se është e pamundur të ndryshohet Kushtetuta.

“Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë”, ka thënë Lajçak.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Masat kundër koronavirusit kanë hyrë në fuqi më 17 tetor…