Haradinaj: Vendimi për taksën ishte i përbashkët, unë e mbroj atë në emër të të gjithëve

05 mars 2019 | 18:16

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt sot, ka folur sërish për çështjen e taksës ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se pikërisht për këtë situatë jo-uniteti në mes të faktorit politik në tema të interesit nacional i bën dëm vendit.

“Dallimet në mes nesh krijojnë paqartësi që edhe aleatët tanë të marrin një qëndrim të favorshëm për ne. Unifikimi institucional për Ushtrinë dhe Trepçën është dëshmia më e mirë se, së bashku mund të arrihen objektivat shtetërore. Por, e ritheksova se nuk ka ndryshim në qëndrimet e mia për taksën ndaj Serbisë dhe pajtohem me deklarimet e përfaqësuesve të tjerë institucionalë kur thonë se asnjë Qeveri nuk e rrezikon marrëdhënien me Amerikën. Këtë e rrezikojnë që të gjithë ose e ndreqin që të gjithë, por arsyeja pse e mbajmë një kurs të tillë është serioze dhe jo e rastësishme”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se duke qenë një vendim që është marrë nga të gjithë së bashku, si kryeministër vazhdon që ta mbrojë. “Unë e mbroj atë në emër të të gjithëve. Qëndroj fuqishëm në atë se duhet ta ruajmë një të drejtë tonën që është sovrane”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. “Sa i përket dialogut me Serbinë, jemi të vetëdijshëm se është vërtet i nevojshëm, por vetëm me një kontratë që nuk përmban elemente të kontaminuara, si rasti i territoreve, kufijve. Vetëm kështu mund të ekzistojë mundësia e pezullimit të taksës. Vonesat në dialog dhe kushtet që ka nxjerrë Serbia për Kosovën nuk janë në frymën e anëtarëve që aspirojnë drejt anëtarësimit në BE. Dhe e kam thënë shumë qartë se njohja e Serbisë ndaj Kosovës do të vijë në kufijtë ekzistues, në Kosovën e 17 shkurtit. Ky është interes i të gjithë neve, i gjithë qytetarëve të Kosovës!”, ka thënë Haradinaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar  se do të…