Limaj kritikon përcjelljen e Jakup Krasniqit: Përfaqësuesit e Hagës sillen si kapadai, shteti ynë është suspenduar
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar mënyrën se si po organizohet përcjellja e Jakup Krasniqit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, duke vlerësuar se përfaqësuesit e Gjykatës Speciale po veprojnë sikur institucionet vendore të mos ekzistonin.
Duke folur në emisionin “Politiko”, në Kanal10, Limaj ka thënë se përfaqësuesit e Hagës vijnë në Kosovë dhe sillen me arrogancë, pa u dhënë mundësi institucioneve të vendit që të marrin përgjegjësinë për sigurinë dhe përcjelljen e të akuzuarve.
“Kur vijnë ata këtu, si kapadai, gjoja një përcjellje, siç e kemi parë në disa raste, e shfaqin sjelljen, s’lënë asnjë mundësi pa e demonstruar sjelljen. Një shtet normal nuk do ta pranonte një gjë të tillë, do t’u thoshte: ne marrim përgjegjësi këtu”, deklaroi Limaj.
Ai ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, duke thënë se ato nuk po ushtrojnë autoritetin e tyre në raste të tilla dhe se po mbeten jashtë procesit.
“Kur vijnë ata, suspendohen institucionet tona. Shteti është suspenduar sot komplet dhe ne jemi spektatorë. Krejt çka na mbetet është të vijmë në studio, të vajtojmë, të shkruajmë statuse, e shteti hesht”, u shpreh Limaj.
Deklaratat e Limajt vijnë pas vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, ku ai qëndroi për disa orë pranë familjarëve të tij dhe bashkëshortes së sëmurë, nën përcjelljen e zyrtarëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.



