Si dështoi atentati i shqiptarëve të Maqedonisë ndaj biznesmenit izraelit
Shërbimet greke të sigurisë janë në gatishmëri pas zbulimit se një rrjet kriminal nga Irani po planifikonte të godiste objektiva në këtë vend. Siç doli nga hetimi i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, objektivi ishte një drejtues i një kompanie izraelite, ndërsa rolin qendror në formimin e rrjetit që do të zbatonin planin për vrasjen e një izraeliti e luajti iraniani Endris Mavaneh.
Ky person kishte lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet iraniane dhe është ai që dha urdhrin e vrasjes. Në veçanti, sipas informacionit të mbledhur nga hetuesit, Mavaneh ia ngarkoi rekrutimin e vrasësve bashkëkombësit të tij dhe personit të kërkuar nga FBI-ja, Naji Sharifi Zidashti. Ai identifikoi dhe organizoi grupin e vrasësve në Shkup dhe Kumanovë të RMV-së.
Roli i Mossadit
Sipas burimeve të cituara nga rrjeti izraelit Ynet, informacioni që çoi në arrestime iu dha autoriteteve në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut nga Mossadi izraelit. Operacioni u krye në një kohë kur zyrtarët izraelitë të sigurisë po paralajmërojnë se Teherani duket gjithnjë e më i vendosur për të kryer sulme kundër objektivave izraelite në të gjithë botën, duke marrë parasysh se përballja e tij me Izraelin është larg të mbaruarit.
Zyrtarët izraelitë të sigurisë të cituar nga Ynet besojnë se parandalimi i këtij plani specifik pasqyron një rritje më të gjerë të përpjekjeve iraniane për të goditur izraelitët jashtë vendit, pasi ata besojnë se Teherani vazhdon të konsiderojë se përballja e tij me Izraelin mbetet e hapur dhe po kërkon mundësi për t’u hakmarrë përmes sulmeve përtej Lindjes së Mesme.
Përpjekjet për të hyrë në Greqi
Sipas informacioneve, vrasësit po përpiqeshin të hynin në Greqi për t’iu afruar objektivit të tyre dhe për të zbatuar planin. Njëri prej tyre u gjet në Greqi, u arrestua dhe iu dorëzua autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa një i dytë kishte tentuar të hynte duke ardhur nga Turqia. Megjithatë, atij nuk iu lejua të hynte në Greqi dhe u kthye në Turqi.
Në fund, komploti i vrasjes, i cili karakterizohet si terrorist , u parandalua pas bashkëpunimit të shërbimeve të sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe EYP-së. Sipas Bojan Hristovskit, drejtor i shërbimit ANB të Maqedonisë së Veriut, rasti konfirmon se shërbimet iraniane rekrutojnë rrjete kriminale në vende të treta për të fshehur përfshirjen e tyre.
Në këtë rast, Mavaneh, bashkëpunëtori i tij, Zindashti, dyshohet se identifikuan dhe rekrutuan 6 persona (të moshës 29-73 vjeç) nga Shkupi dhe Kumanova me një histori në krimin e organizuar në Maqedoninë e Veriut.
Të gjashtë personat do të ekzekutonin kontratën për të vrarë personin me interes për Iranin dhe ishin takuar me Mavaneh si në Iran ashtu edhe në vende të tjera. Në fund, planet e tyre u penguan nga policia. Deri më tani, 4 persona janë arrestuar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa oficerë nga njësia speciale antiterroriste “Tiger” morën pjesë gjithashtu në operacion.



