Haradinaj: Xhemajl Fetahaj, shembull i luftëtarit dhe patriotit shqiptar

31 maj 2018 | 15:26

“Agim Ramadani, Sali Çekaj e Xhemajl Fetahaj janë tre emra që bëjnë historinë tonë në mënyrën e vet. Vijnë nga drejtime që i ka nxjerrë jeta dhe bashkohen në një qëllim, në një vend, në një betejë, në një epope që e bënë historinë  e kombit të tyre. Bashkohen në Koshare dhe aty që të tre flijohen për lirinë e atdheut të vet. Kemi shumë njerëz që janë flijuar për atdhe, por ‘Epopeja e Koshares’ dhe këta tre burra i japin një pamje të atdheut të tyre në mënyrën e vet, që të tre secili veç e veç”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, në akademinë përkujtimore në ditën e rënies së heroit, Xhemajl Fetahaj.

Duke folur për luftën e lavdishme të Xhemajl Fetahaj dhe të komandantëve të tjerë, Haradinaj ka theksuar se të gjithë dëshmorët e Koshares, bijë dhe bija të këtij vendi, por edhe të popujve tjerë, ua rritën namin dhe dimensionin e flijimit komandantëve të tyre.

“Kam pasur rastin të jem një kohë bashkëluftëtar me Xhemajl Fetahaj. I kam njohur familjarët e tij, njerëzit rreth tij, dhe nuk kam asnjë dilemë se ai nuk ka qenë i denjë të jetë në krahë me Agimin e Salihun. Ai i ka përmbushur parametrat e një luftëtari shqiptar, një komandanti të luftës tonë, një patrioti që në momentet vendimtare është aty ku duhet”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se duke respektuar shembullin e të rënëve, rruga e atdheut tonë, e ardhmja e popullit tonë do të jetë e ndritur.

“Ne kemi vetëm një të ardhme, që të jetojmë të lirë, një të ardhme që të jetojmë në demokraci. Dhe ne i takojmë vetëm një familje, asaj perëndimore, euroatlantike, pra anëtarë i BE-së dhe i NATO-s dhe kemi vetëm një perspektivë në botë, t’i qëndrojmë besnik atyre që ishin besnik me ne në kohërat më të vështira të rrezikut tonë, Amerikës”, është shprehur Haradinaj, duke theksuar se këto fjalë e kanë vendin pikërisht këtu sot kur përkujtohen njerëzit më të zot të atdheut tonë që kanë rënë për liri.

Kryeministri Haradinaj, ka thënë se  duke u shërbyer me shembullin e flijimit ne mund ta garantojmë të drejtën tonë që të jetojmë të lirë, në demokraci, të bëhemi pjesë e familjes së popujve të lirë euroatlantik dhe ta forcojmë miqësinë me Amerikën.

“Unë e kam për nder që si një prej bashkëluftëtarëve mund ta nderoj këtë rrugë dhe ju ftojë të gjithëve që të mos i ndahemi kësaj rruge”, ka theksuar Haradinaj.

Në këtë akademi në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” ka folur Xhafer Gashi, ndërsa në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur Erëza Fetahaj, bija e heroit Xhemajl Fetahaj.

Me këtë akademi përkujtimore ku u përkujtuan dëshmorët Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala, përmbyllet manifestimi tradicional “Ditët e Shqipes 2018” kushtuar Betejës së Koshares, manifestime këto që janë mbajtur nën përkujdesjen e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen është duke planifikuar variantin e shitjes së Thiago…