Hasani: KON-i është i vendosur që të mbahen Lojëra Olimpike

25 janar 2021 | 19:52

Presidenti i Komitetit Olimpik i Kosovës (KOK), Besim Hasani, ka marrë pjesë në video-konferencën e presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Thomas Bach, kur kanë mbetur edhe gjashtë muaj deri në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

“Presidenti Hasani deklaroi se i pari i Lëvizjes Olimpike në botë, Thomas Bach, i siguroi presidentët e KO se bashkë me qeverinë e Japonisë dhe anëtarë të tjerë të KON-it janë të vendosur që këto lojëra të mbahen në kohën e paraparë dhe të jenë të sigurta për të gjithë pjesëmarrësit”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Presidenti Bach theksoi se në ditët e ardhshme do të bisedojë edhe me komunitetin e sportistëve në mënyrë që më 23 korrik, në ceremoninë hapëse, ta dërgojnë bashkërisht në mbarë botën mesazhin e solidaritetit dhe paqes.

Bach foli edhe për masat që do të merren për mbrojtje nga pandemia Covid 19, për çka tha se janë duke u përgatitur të gjithë skenarët e mundshëm si: pjesëmarrja e një numri të caktuar të tifozëve, rregullat e karantinimit, distanca, testimi, vaksinimi, jeta në Fshatin Olimpik etj. Edhe Komiteti Olimpik i Kosovës është duke u përgatitur në mënyrë që në LO Tokio 2020 të marrë pjesë me numër sa më të madh të sportistëve, për çka së fundi ka shtuar mbështetjen ndaj sportistëve elitarë, të cilëve do t’u hiqen shpenzimet e përgatitjeve deri në 80 ditë brenda gjashtë muajve, si dhe heqjen e shpenzimeve të një gare ndërkombëtare të vlefshme për pikë olimpike.

Deri më tani, KOK ka një normë olimpike me mundësin Egzon Shala dhe pesë norma që pritet të konfirmohen edhe zyrtarisht për sportistët e xhudos, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka e Akil Gjakova, që do ta çojnë në gjashtë numrin e normave olimpike. Lojërat Olimpike Verore mbahen në Tokio të Japonisë prej 23 korrik – 8 gusht 2021.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një shkrese i është…