Haxhiu, ish-opozitës: Votojeni Glauk Konjufcën
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë lutje partive ish-opozitare që ta votojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare si dhe mandatarin për Qeverinë e re, Glauk Konjufca.
Kështu, ajo ka dhënë indikacion se do ta tentojnë votimin e buxhetit para seancës për Qeverinë e re.
“Nuk kanë pasur vullnet për të tejkaluar situatat me të cilat jemi përballur. Buxheti nuk është buxheti i kryeministrit Kurti. Sot u bëj lutje që të kenë qasje pozitive, ta mendojnë interesin e shtetit dhe të jenë në seancë për të votuar dokumente shumë të rëndësishme, por në anën tjetër pas pak minutave e kemi edhe votimin e mandatarit. Konjufca është i dyti më i votuari në Republikën e Kosovës. Sot është momenti që t’i japin mbështetje zotit Konjufca. Nuk kemi pse shkojmë në dy palë zgjedhje në një kohë të shkurtër. Kryetari i Kuvendit nuk e mbylli seancën, por e ndërpreu, nëse ka ndonjë reflektim” , ka thënë Haxhiu, duke u bërë thirrje deputetëve që ta votojnë Konjufcën për kryeministër.
“Për hir të qytetarëve, për hir të shtetit të Kosovës, le ta votojnë mandatarin, lë ta mbështesim personin e dytë më të votuar, z. Konjufca, për të cilin të gjithë kanë thënë, pa përjashtim, se është figura unifikuese”, ka thënë ajo.



