Haxhiu: Projektligji për Trustin do të shqyrtohet në seancën e Kuvendit

25 maj 2022 | 17:19

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, i kryesuar nga kryetari Armend Muja, ka mbajtur të mërkurën mbledhje, në të cilën është shqyrtuar në parim Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës.

Projektligjin në fjalë e ka paraqitur deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, sipas të cilit, tërheqja e një pjesë të kursimeve pensionale do t’i ndihmonte qytetarët pas krizave të ndryshme në dy vjetët e fundit.

Gjatë prezantimit Haxhiu ka thënë se, sipas ndryshim-plotësimeve, qytetarët do të mund të tërheqin 10 deri në 30 për qind të shumës së kursimeve pensionale, duke shtuar se përqindja e tërheqjes nuk do të jetë për të gjithë e njëjtë.

Kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, e hapi debatin për diskutime rreth projektligjit në fjalë, të cilin më pas e hodhi në votim.

Me 5 vota për, 5 kundër dhe një abstenim ky projektligj nuk u përkrah nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, me anë të një postimi në “Facebook” deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se, pavarësisht se në komision votat e deputetëve ishin 50 për qind me 50 për qind, është hapur rruga që Projektligji për Trustin të shqyrtohet në seancë të Kuvendit të Kosovës.

“Sot u vërtetua se prolongimi i shqyrtimit të Projektligjit për Trustin në Komision Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere është bërë me qëllim që të ushtrohet presion mbi deputetët për të mos e votuar këtë kërkesë të qytetarëve. Uroj që ky presion mos të ndodhë në seancën e Kuvendit dhe deputetët të lihen të lirë në vendimmarrje, të votojnë me integritet pro kërkesës së qytetarëve për tërheqjen e deri 30 për qind të Trustit, të votojnë pro Projektligjit për Trustin”, ka thënë Haxhiu, duke shprehur shqetësimin e tij për trajtimin që i bënë deputetët e pozitës kësaj çështje aq imediate dhe e mirëqenë për qytetarët duke votuar kundër këtij propozimi në komision. “Por, shpresoj shumë që deputetët e pozitës të reflektojnë dhe të votojnë pro në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë deputeti Haxhiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka vizituar…