Haxhiu: Veting do të ketë edhe në institucionet e sigurisë

27 dhjetor 2022 | 13:05

Ministrja e Drejtësisë (MD), Albulena Haxhiu, gjatë raportimit para Komisionin ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar apo të vetingut është shprehur se dosja për procesin e vetingut, e cila është dorëzuar në shtator në Kuvendin e Kosovës përbëhet nga nëntë dokumente, ku pjesa kryesore është ajo e draftit me amendamente kushtetuese, draft të cilin e ka konsideruar të gatshëm për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese.

Haxhiu e ka konsideruar si sfidë edhe sigurimin e 2/3 të votave të Kuvendit të Kosovës për këtë proces, por ka kërkuar mbështetjen për të siguruar votat sidomos të komuniteteve.

Më tutje, Haxhiu është shprehur se për zhvillimin e vetingut në Kosovë janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili ka rekomanduar veting për nivelet e larta në drejtësi përmes mekanizmit të jashtëm.

“Është një dosje voluminoze. Janë nëntë dokumente përkatëse që kanë të bëjnë me këtë proces. Sa i përket dokumenteve të tilla konsideroj edhe njëherë se e kemi të nevojshme një sqarim marr parasysh që ka pas keqkuptime të shumta disa të qëllimshme e disa duke mos pasur informacioneve. Më lejoni ta sqaroj se dokumenti më i rëndësishëm në këtë dosje është drafti i amendamenteve kushtetuese, të cilat si drafte paraprake janë vlerësuar dhe rishikuar nga Komisioni i Venecias. Komisioni i ka mirëpritur ndryshimet e bëra në këto amendamente në kuadër të dosjes së vetingut vetëm draft-amendamentet kushtetuese janë në përputhje të plotë me opinionin final të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Sa i përket përmbajtjes draft-amendamentet kushtetuese përfshijnë tri amendamente kushtetuese kryesore të cilat mes të tjerash kanë të bëjnë me sqarimin e bazës për shkarkim të një gjyqtari ose një prokurori nga pozita, dhe gjithashtu përfshijnë rregullimin dhe funksionimin e autoritetit të veçantë të kontrollit të autoritetit, i cili autoritet përkohësisht i merr kompetencat e dy këshillave në kuptim të kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) sikurse kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve dhe vendosjen e sanksioneve apo edhe propozimeve për shkarkim që ia bëjnë presidentit”, ka thënë ajo.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka kërkuar sqarime për mundësitë që Ministria e Drejtësisë të kontribuoj për Projektligjin për vetingun dhe se a ka ndonjë vlerësim plotësues për amendamentet kushtetuese për vetingun.

Teksa ka shprehur gatishmërinë se do të vazhdojë kontributin për këtë proces, Haxhiu ka thënë se sa i takon Projektligjit në dosjen për vetingun kanë dërguar dokumente të cilat i sqarojnë këtij komisioni për ndryshimet që nevojiten të bëhen në projektligj.

Ndërsa Rashit Qalaj nga PDK-j, ka ritheksuar nevojën që procesi i vetingut të përfshijë edhe institucionet e sigurisë në vend.

“Ndoshta është një ndër proceset më të rëndësishme për vendin. Konsideroj se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm, unë mendoj se ky veting duhet t’i përfshijë edhe institucionet e sigurisë, gjithmonë duke pasur parasysh edhe hallkën që lidh institucionet e sigurisë me ato të drejtësisë dhe pastaj detyrimisht besoj që kur të bëjmë vetingun për organet e sigurisë dhe të drejtësisë atëherë mendoj se një lloj vetingu apo certifikate e sigurisë apo duhet të jetë edhe për ministritë përkatëse apo deputetët që janë komisionet për siguri dhe mbrojtje, inteligjencë dhe legjislacion dhe nëse e bëjmë këtë do të mbyllej procesi”, ka thënë ai.

Kurse ministrja Haxhiu, ka bërë me dije se edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka krijuar grupin punues, i cili është duke punuar në koncept-dokumentin për vetingun në institucionet kyçe të sigurisë.

Sipas saj, procesi i vetingut në siguri është më i lehtë, po situata në veri e ka ngadalësuar procesin.

“MPB-ja ka formuar grupin punues dhe është duke punuar në koncept-dokument, por arsyeja se pse nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Ministrinë e Drejtësisë është edhe për shkak të rrethanave në veri që ne nuk mund që ta mohojmë këtë sepse gjithë fokusi ka qenë tek situata në veri, mirëpo sipas informacioneve që i kemi si ministri dhe që jemi pjesë e grupit punues në kuadër të MPB-së, ata janë duke punuar në këtë proces por është shumë më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sikurse tek procesi i vetingu në sistemin e drejtësisë”, është shprehur Haxhiu.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, ka kërkuar ta dijë se nëse Ministria e Drejtësisë ka insistuar tek Komisioni i Veneicas për të pas një veting gjithëpërfshirës, ashtu siç ishte paralajmëruar.

“Përtej asaj që kanë shkruar në opinionin e Venecias a kanë dhënë shkaqe shtesë pse ata vlerësojnë se në Kosovë nuk do të duhej të lejohet vetingu gjithëpërfshirëse sikurse ai në Shqipëri, pra a ka qenë elementi i vetëm i referencë së tyre kjo pjesa e vlerësimit subjektiv që nuk ka nivel të korrupsionit në Kosovës dhe nëse kjo ka qenë aspekti i vetëm a ka ndërmarr MD-ja, le të them veprime shtesë që të tentojë të insistojë tek anëtarët e Komisionit të Vencias që megjithatë të lejohet një veting gjithëpërfshirës dhe mos të kufizohet vetëm tek krerët e KPK-së dhe KGjK-së. Apo po punoni dhe nuk keni nevojë të na tregoni veprime konkrete, por a ka filluar të punojë qeveria dhe MD-ja që t’i sigurojmë votat e domosdoshme për kalimin e amendamenteve kushtetuese”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Çështjeve të ngritura nga deputetja Kica-Xhelili, u ka dhënë përgjigje ministrja Haxhiu, e cila ka thënë se kanë bërë përpjekje maksimale që të ketë veting gjithëpërfshirës.

“Ne kemi bërë përpjekje maksimale që të shtyhet përpara rekomandimi i qeverisë apo qëndrimin e qeverisë për vetingun në sistemin e drejtësisë për gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Në mars është hera e parë që po e them publikisht, në mars ne e kemi marr një draft nga Komisioni i Venecias që nuk ka qenë fare i mirë dhe me një përpjekje maksimale të MD-së ne kemi arritur të mos e votojmë atë draft në Komisionin e Venecias, por ta shtyjmë që të vazhdojmë punën intensive me Komisionin… dhe pas përpjekjes maksimale nga marsi deri në qershor kemi arritur ta kemi këtë draft që është një dritë në fund të tunelit pra që ta lejoj autoritetin e jashtëm kushtetues për nivelet e larta KGjK-së, KPK-së dhe kryetarët e gjykatave dhe qëndrimet e mija janë që nëse ne arrijmë të kemi persona me integritet në këto institucionet tona qendrore unë jam e bindur që ajo do të reflektohet edhe tutje”, është shprehur Haxhiu, duke kërkuar edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për votimin e amendamenteve kushtetuese për vetingun.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Sa herë që kryeministri Albin Kurti kërcënon me heqjen e…