Haziri kërkon nga deputetët ta votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

24 nëntor 2020 | 14:07

Kryetari i Gjilanit, Lufti Haziri ka pritur të martën në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Haziri gjatë një adresimi për medie pas takimit, ka bërë me dije se vizita e Zemajt ka të bëjë me interesimin rreth zbatimit të masave kundër përhapjes së Covid-19 në Komunën e Gjilanit, raporton “Epoka e re”.

“Komuna e Gjilanit ka bërë 7 mijë teste ndërsa kemi 502 raste aktive me koronavirus. Spitali i qytetit dhe qendra kryesore e mjekësisë shëndetësore janë në punë 24 orë në shtatë ditë të javë duke iu ofruar ndihmë qytetarëve. Ne ofrojmë edhe kujdes mjekësor në shtëpi”, ka thënë Haziri.

Haziri ka theksuar se krahas kujdesit shëndetësor duhet kushtuar kujdes edhe shëndetit ekonomik, teksa ka apeluar tek deputetët që të votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

“Apelojë të gjithë deputetët e Anamoravës dhe të tjerët të vlerësojnë, kontribuojnë dhe votojnë Pakon e Rimëkëmbjes. Dimri është i vështirë dhe menaxhimi ekonomik i pandemisë gjatë dimrit do të jetë i vështirë”.

“Kemi humbur 800 mijë vende pune dhe duhet të iu gjendemi njerëzve afër gjatë dimrit”.

“Sot kam takuar kryeministrin Hoti dhe kemi biseduar për nevojën e angazhimeve të përbashkëta. Paketa e Rimëkëmbjes Ekonomike i jep oksigjen ekonomisë”, ka deklaruar Haziri.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Zemaj ka kërkuar nga qytetarët zbatimin e masave anti-Covid.

“Numrat janë alarmantë. Për ta ndryshuar gjendjen, duhet ndryshuar sjelljen dhe dinamikën. Qeveria dhe ministri e Shëndetësisë po bëjnë gjithçka që është e mundur t’i bëjnë ballë virusit. Kemi ngritur të gjitha kapacitetet e mundshme. U bëjmë thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e qeverisë, të na ndihmojnë ne dhe të gjithëve” , ka thënë Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar pjesët e para në dy ndeshjet e Superligës…