Haziri kujton martirët e Lladovës, në 21-vjetorin e vrasjes mizore

02 prill 2020 | 15:34

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në 21-vjetorin e masakrës që ka ndodhur në fshatin Lladovë, edhe në këto momente të pandemisë globale, ka kujtuar sakrificën që banorët e këtij fshati kanë kaluar duke respektuar deri në gjunjëzim veprën për të rënët nga kjo masakër në vitin 1999.

“Jemi duke kaluar shumicën e kohës në organizim maksimal për parandalimin e pandemisë Covid-19, mirëpo assesi nuk mundemi dhe nuk guxojmë të harrojmë sakrificën që banorët e Lladovës dhe Karadakut kanë dhënë në luftën për liri. Aty është derdhur gjak që sot të jemi të lirë. Ai gjak është i njomë edhe sot dhe gjithmonë sa të jetë kjo jetë, sepse ata ranë në luftën për liri dhe të tillë do të mbeten vazhdimisht. Ata janë themeli I lirisë dhe gjunjëzohemi para veprës së tyre”.

“Ky fshat, por edhe Gjilani dhe e gjithë Anamorava, gjithmonë do ta mbajnë në mend këtë ditë të tmerrit që ndodhi këtu. Rrugët e këtij fshati dhe të kësaj ane, janë rrugët e lirisë për çka u sakrifikuan martirët e Lladovës”, ka thënë Haziri.

Nga regjimi serb, në Lladovë janë vrarë  mizorisht, Beqir Mahmuti (1953), Zijadin Mahmutit (1960), Daut Mahmuti (1963), Hevzi Ajeti (1970), Ganimete Ajeti (1977) dhe Ahmetali Ajeti (1960), ky i fundit i vrarë dhe i zhdukur. Po ashtu, në Gjilan është vrarë edhe Xhemail Ymeri nga Lladova, kurse i plagosur rëndë kishte mbetur Mefail Ajeti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Angelina Jolie ka vendosur të vetizolohet në Kaliforni së bashku…