Haziri tha se Osmani ka popullaritet 8 për qind, reagojnë nga Presidenca: Osmani ka vlerësim të lartë në Kosovë

12 janar 2024 | 19:26

Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se presidentja ka popullaritet 8 për qind.

“8 për qind e ka popullaritetin Vjosa Osmani. Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku e kanë popullaritetin më të madh”, ka thënë Haziri në një intervistë për T7, në emisionin ZEN me Artan Behrami.

Kadaj-Bujupi përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se sipas sondazheve Osmani ka vlerësimin më të lartë në Kosovë sa i përket popullaritetit.

Sipas Kadaj-Bujupit, sondazhet e nxjerrin presidenten Osmani me 72 për qind popullaritet.

“Lutfi Haziri paska thënë që mbështetja e qytetarëve për Presidenten sipas sondazheve është 8%. Pak fact-checking. Sipas sondazhit të UBO-s dhe sondazheve ndërkombëtare në Kosovë, të cilat i kanë pa të gjithë liderët partiakë dhe ata të institucioneve, në pyetjen nëse Vjosa Osmani e meriton të vazhdojë punën si Presidente, 71% janë përgjigjur se po, ndërsa vlerësimi për Presidencën si institucion është mbi 62%. Në vlerësimin se çfarë mendimi kanë për presidenten Osmani në notën 1 deri 5, presidentja ka vlerësimin më të lartë në Kosovë me 3.6, që në përqindje është 72%. Me gjasë ish-kryetari i Gjilanit e ka marrë si shumë seriozisht shprehjen ‘Fake it till you make it’. Lutë, shprehja nuk i aplikohet publikimit të lajmeve, se pastaj është vec Fake News. PS; Kushdo që dëshiron t’i shohë rezultatet e sondazhit, lajmërohuni dhe ua tregoj”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Serbi ka shpallur rezultatet zyrtare…