Hekuran Doli flet për rëndësinë e kujdesit ndaj sigurisë kibernetike dhe ndikimin e inteligjencës artificiale

18 mars 2024 | 15:32

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, i ftuar në “Përballje Podcast” foli për rëndësinë e kujdesit ndaj sigurisë kibernetike, për të cilin tha se është po aq i rëndësishëm sa kujdesi personal.

Mirëpo sipas tij, në internet dhe në sferën teknologjike kibernetike, sulmet janë shumë më dinake sesa që mund të jenë në rrafshin fizik, individual e personal.

“Sot nuk mundesh me e imagjinu jetën pa internet. Dhe si rezultat, nuk mundesh me e imagjinu personalitetin tonë të pandikuar nga interneti dhe teknologjia në përgjithësi. Prandaj, kujdesi ndaj sigurisë kibernetike është po aq i rëndësishëm sa kujdesi ndaj sigurisë personale. Mirëpo për dallim, në internet dhe në sferën teknologjike kibernetike, sulmet janë shumë më dinake sesa që mund të jenë në rrafshin fizik, individual, personal jashtë sferës teknologjike”, tha Doli në serinë e radhës të “Përballje Podcast” me autor Muhamet Hajrullahu.

Ai tutje u shpreh se pasojat e sulmeve kibernetike të çfarëdo lloji vërehen shumë më vonë, e njëjtë sipas tij ndodh edhe më dezinformimin.

“Edhe para epokës së internetit ka pasur dezinformim. Por, është ditur, është identifikuar dhe impakti i atij dezinformimi ka qenë i matshëm deri diku. Ndërsa tash, dezinformimi ndodh, por nuk vërehet, mirëpo pasojat janë shumë afatgjate dhe shumë më gjithëpërfshirëse”.

Eksperti i sigurisë kibernetike tha se ka sulme të cilat kanë për qëllim përfitimet ekonomike, e disa të tjera influencimin e një shoqërie të tërë.

“Sulmet që kanë për qëllim përfitimet ekonomike mund të bëhen prej hakerëve. Ndërsa, ka edhe sulme kibernetike të cilat kanë për qëllim influencimin e një shoqërie të tërë, e këto janë pak më të rrezikshme”.

Doli mes tjerash foli edhe për ndikimin e inteligjencës artificiale, duke thënë se jo vetëm në rrafshin e dezinformimit, por edhe në rrafshin e sigurisë kibernetike në përgjithësi e ka hapur një etapë të re.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një fitore e rëndësishme e PSG-së në transfertë ndaj Montpellier…