Hekuran Murati: Ka ende shpresa për marrëveshje me LDK-në

20 janar 2020 | 23:31

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati u shpreh optimist në lidhje me marrëveshjen e koalicionit, duke thënë se kanë ende edhe 15 ditë, të cilat do t’i shfrytëzojnë për të shterur mundësitë që të bëjnë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Murati, thotë se LVV-ja, ka vullnet për të bërë marrëveshje me LDK-në, dhe se këtë vullnet e kanë dëshmuar, në momentin që i kanë bërë ofertë LDK-së, që të jenë bartës të listës në zgjedhjet e 6 tetorit, e cila ofertë u refuzua nga kjo e fundit.

“Mundësitë nuk janë shterë, vet fakti që është edhe ky 15-ditëshi, tregon që mundësitë nuk janë shterrur. I kemi edhe 15 ditë që të arrijmë marrëveshje.  Vullneti prej Lëvizjes Vetëvendosje ekziston për me pas një marrëveshje, ky vullnet ka ekzistuar që prej fillimit të bashkëpunimit në opozitë, bashkë me LDK-në kur kemi qenë në opozitë, madje ku vullnet është dëshmuar edhe ne negociatat për koalicion parazgjedhor që kemi pas me LDK-në, nëse ju kujtohet ka pasur oferta gjeneroze atëherë. Madje oferta përfundimtare, pak para se me u dorëzuar listat në KQZ, ka qenë që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës. Si kandidat, e Albin Kurti numër dy, edhe atëherë u refuzua kjo ofertë”, u shpreh Murati.

Sipas Muratit, të dy partitë edhe LVV-ja, edhe LDK-ja kanë dalë në fushatë me të njëjtin premtim, për ta dërguar PAN-in në opozitë, gjë që kjo tregon se ka ende shpresë për koalicion.

“Tash me e pyet elektoratin e LDK-së a e kishit pranuar në retrospektivë, këtë ofertë, ndoshta e kishin pranuar nëse i kishin ditë qysh ka me dal rezultati. Por, ja që kjo ofertë ka skaduar, të gjitha ofertat po iu imponohet një afat skandence qoftë Kushtetues, qoftë prej KQZ-së. Edhe pasi dul rezultati, VV-ja e para ndërsa LDK-ja e dyta. Le të kujtojmë që dy partitë gjatë fushatës kanë garuar me premtimin se do ta dërgojnë PAN-in në opozitë dhe vetëm LVV-ja dhe LDK-ja do të jenë partnerë të koalicionit. Tash, pas zgjedhjeve LVV-ja vazhdon me insistuar që me pas marrëveshje, por e kemi edhe alternativën tjetër me mbet në opozitë, por që opozita nuk ka qenë e përmendur gjatë fushatës, kështu që ka shpresë marrëveshje”, ka thënë Murati në RTV Dukagjini.

Në anën tjetër, anëtari tjetër i LVV-së, Artan Abrashi, tha se kërkesa e LDK-së për balancim të pushtetit ka skaduar dy herë, kur ata kanë refuzuar ofertat partia e tij ia kishte bërë LDK-së.

Abrashi thotë se LVV-ja ka pritur deri në momentin e fundit që LDK-ja të bëj një hap për marrëveshje, para se të shkonin në seancën konstituive të Kuvendit.

“Kërkesa e LDK-së për balancim të pushtetit, ka skaduar kur ata e kanë refuzuar ofertën e LVV-së për të konkurruar me një listë të përbashkët ku nuk kishte me pas fitues ky ose ai subjekt. Do të kishin fituar bindshëm si opozitë e bashkuar, dhe që ka mbështetjen qytetare, kjo ofertë u refuzua. Momenti i dytë ka qenë 26 dhjetori, kur kemi prit deri në momentin e fundit që ata të bëjnë një hap drejt marrëveshjes. Nëse ne do të kishim hyrë këtyre lojërave, të shtyrjes së seancave, rikthimit të skenave nga e kaluara, ku mbledhjet e Kuvendit janë formalitet, deputetët vetëm nënshkruhen ato letrat sa për paga dhe mëditje. Kjo ka qenë e panevojshme nga LVV-ja dhe LDK-ja”.

“Kuvendi me 26 dhjetor, për fat të keq LVV-ja në Kuvend shkoi pa marrëveshje, por se ne nuk mund ta bllokonim procesin e formimit të Kuvendit si organit më të lartë të vendit. Dhe e para me 26 dhjetor ka ndodh një vendim demokratik ligjor, vendimi i parë ka qenë zgjedhje e kryetarit të Kuvendit, ka pasur vota nga subjekte të ndryshme politike, përfshirë edhe LDK-në, shtrohet pyetja mbi çfarë baze, dy subjekte që përfaqësohen nga dy lider partiake munden me marr një vendim që me hedhur poshtë një vendim demokratik dhe të ligjshëm të organit më të lartë të vendit. Hyrja në tregti votash me deputetët është e papranueshme, absurde. Pranimi i një oferte po aq sa edhe refuzimi krijon situatë të re. Pranimi i një ofertë po aq sa refuzimi i një ofertë krijon një situatë të re”, ka thënë Abrashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Pal Lekaj përmes një postimi…