Hellmichi: Kosova mund të llogaritë në mbështetjen e Gjermanisë

21 qershor 2018 | 14:06

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka pritur të enjten në ministri një delegacion të deputetëve të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, në krye me Wolfgang Hellmich.

Në takimin e përbashkët të dy delegacioneve, të kryesuara nga ministri Berisha dhe Hellmich, u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore Kosovë-Gjermani, në shumë fusha e me theks të veçantë në fushën e sigurisë.

Ministri Berisha e ka falënderuar shtetin dhe popullin gjerman për mbështetjen e pakursyer që kanë dhënë dhe po japin për Kosovën, në ndërtimin, avancimin e institucioneve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë si dhe profesionalizimin dhe avancimin e FSK-së.

Ministri Berisha gjithashtu ka potencuar rolin mjaft të rëndësishëm të Gjermanisë në shkollimin, trajnimin dhe pajisjen e FSK-së, si dhe në përgjithësi rolin mjaft aktiv të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë si një partner strategjik dhe i fokusuar në situatën në Kosovë, që nga viti 1999 e deri më tani.

Ministri Berisha i ka njoftuar deputetët gjermanë për misionin, detyrat, të arriturat, sfidat si dhe objektivat për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së në të ardhmen, duke përmendur trajnimet dhe shkollimet si brenda ashtu edhe jashtë vendit të pjesëtarëve të FSK-së, pjesëmarrjen në stërvitje të përbashkëta me partnerët tanë, integrimin e komuniteteve joshumicë dhe të gjinisë femërore, si dhe mbi objektivat e FSK-së për të ardhmen, për arritjen e së cilave rol të rëndësishëm padyshim luan edhe shteti i Gjermanisë.

Gjithashtu edhe zëvendësministri i parë i MFSK-së, Burim Ramadani, para deputetëve gjermanë ka prezantuar planet dhe objektivat për një Kosovë të sigurt si dhe shpalosi faktet dhe rrugën lidhur me përpjekjet politike për gjithëpërfshirje.

Nga ana e tij, kryetari i Komitetit të Mbrojtjes pranë Bundestagut Gjerman, Wolfgang Hellmich, ka theksuar se Gjermania do të mbështesë Kosovën edhe më tutje. “Ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë edhe më tutje”, është shprehur Hellmich.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Fortnite: Battle Royale”, videoloja falas që ka “pushtuar” botën, po…