Heqja e vizave, Manastiri i Deçanit: Von Cramon jep detaje nga raporti i PE-së për Kosovën

05 korrik 22:56

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka dhënë raportin e saj për vitin 2021 për Kosovën.

Ajo ka folur për çështje të ndryshme rreth zhvillimeve në Kosovë, duke falënderuar së pari institucionet për solidarizimin me Ukrainën, teksa ka vazhduar duke folur për sundimin e ligjit, kërkesën për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, liberalizimin e vizave dhe dialogun mes Kosovës e Serbisë, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në Twitter, ajo ka thënë se raporti vjen në një moment të veçantë, në një kohë kur po ndodh sulmi i Rusisë ndaj territorit të Ukrainës.

“Sivjet raporti i Kosovës vjen në një moment kur jemi duke parë përsëri skena horrori të luftës në Evropë. Qeveria e Kosovës ka demonstruar solidaritet të plotë me Ukrainën, për çfarë dua t’i falënderoj. Raporti gjithashtu nënvizon reformat e gjata të Kosovës dhe rrugën e integrimit në BE”, ka shkruar ajo.

Tutje, Viola von Cramon ka deklaruar se raporti mbulon edhe çështje të tjera si sundimi i Ligjit në Kosovë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administrata publike dhe antidiskriminimi.

Ndër të tjerash, ajo ka kërkuar nga institucionet e Kosovës zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit në mënyrë që të ketë zbatim të barabartë sundimi i ligjit.

“Lidhur me sundimin e ligjit, raporti u kërkon autoriteteve të bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë dhe respektojnë plotësisht Opinionin e Komisionit të Venecias. Sundimi i ligjit do të thotë barazi për të gjithë. Prandaj, i bëj thirrje qeverisë së Kosovës që të zbatojë aktgjykimin e GJK-së lidhur me Manastirin e Deçanit dhe të demonstrojë se nuk ka një qasje selektive kur bëhet fjalë për aplikimin e sundimit të ligjit”, shtoi ajo.

Në postimin e saj, ajo ka deklaruar se pranimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk do të ndodhë pa arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

“Një element thelbësor i rrugës së integrimit në BE është Dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë. I dërguari special i BE-së Miroslav Lajcak ka mbështetjen tonë të plotë dhe ekziston një unitet unik transatlantik. Megjithatë, pa marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, pranimi nuk do të ndodhë”, ka deklaruar ajo.

Von Cramon ka folur tutje edhe për mbrojtjen e ambientit, e cila ka thënë se duhet të bëhet një prioritet për Kosovën.

“Njëra nga hapat kryesorë mbetet tranzicioni i energjisë. Është koha të implementohet Strategjia e Energjisë e cila do të hapte rrugën për dekarbonizimin e përzierjes energjetike të Kosovës dhe do të hapte derën për burimet e rinovueshme të energjisë”, ka thënë ajo, duke shtuar se qytetarët e Kosovës e dinë mirë këtë.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Von Cramon ka thënë se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt për Kosovën, duke theksuar këtu edhe plotësimin e të gjitha kushteve nga Kosova.

“Parlamenti Europian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën e dhënies së menjëhershme të liberalizimit të vizave, i cili ka kohë që është vonuar pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane!”, ka deklaruar ajo.

Von Cramon ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i zyrës ligjore First-consulting.ch në Bern dhe Delemont të…