Hera e tretë brenda muajit nga e njëjta kompani, sekuestrohet tjetër sasi kokaine në Durrës

29 korrik 2021 | 22:28

Për herë të tretë brenda muajit, policia ka sekuestruar sasinë e radhës të kokainës në Portin e Durrësit të fshehur në disa kontejnerë që i përkasin kompanisë “Alba Exotic Fruit”.

Pasditen e sotme, blutë kanë gjetur 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, gjatë kontrollit të imtësishëm nga Task Forca. Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani.

“Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike. Sekuestrohet një tjetër sasi lëndë narkotike kokaine, në kontenierët për llogari kompanisë “Alba Exotic Fruit”.

Në vijim të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, e duke vijuar përsëri në datën 23.07.2021, ku u gjetën dhe sekuestruan 6.5 kilogramë të tjera lëndë narkotike kokainë, mbaditen e sotme si rezultat i veprimeve hetimore, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një tjetër sasie lëndë narkotike kokainë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit në disa kontenierë për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u gjet dhe u sekuestrua 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. Taks Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore për dokumentinin e plotë të veprimtarisë kriminale të trafikimit të kokainës”, njofton policia.

Droga që u gjet në kontejnerët me banane në pronësi të kompanisë “Alba exotic fruts”, gjatë muajit korrik, dyshohet se i përket të njëjtit grup kriminal që në qershor të vitit 2019 iu sekuestrua 137 kg kokainë, e cila përmes dorëzimit të kontrolluar u zëvendësua me oriz. Pas veprimeve të kryera në terren hetuesit kanë konstatuar se vendit ku ishte fshehur kokaina, si dhe fakti që ajo ka ardhur nga Ekuadori, rrit dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtën linjë trafiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zhgënjen Shkëndija e Tetovës, që ndryshe nga sa na kishte…