Heroi, i çliroi të gjithë, përveç vetveten!

06 korrik 14:35

Kimete Berisha

– Ai që ka dhënë kontribut të madh dhe që e ka rrezikuar jetën: për çlirim, për liri, për letërsi, për shkencë, për çkado qoftë…

– që e ka paguar shtrenjtë me jetën e familjarëve,

me burg dhe me vuajtje të mëdha, nën vetëdije, pa dashjen e tij, e ka shumë mërzi ta marrin në pyetje dhe të dyshojnë në karakterin e tij.

– Kur e ke trupin të zhbiruar nga plumbat dhe për pak e ke dhënë jetën për liri – e vjen dita të pyet dikush ‘mos e lëshove ti qenin tinëz’

– është për t’u mbytur në legen.

– Këtë ndjenjë nuk e kupton pa qenë i vuajtur dhe mundësisht madhështor.

…fëmijët e komunistëve shqiptarë nuk e kuptojnë këtë që po mundohem të them,

sepse kur p.sh. Demaçi ka vuajtur, Hoxha dhe jugosllavët e tjerë ia kanë lëpirë akulloren Beogradit.   

– Kur je Hero, të vjen inat, shumë shumë inat, kur të ndalojnë policët dhe nuk të njohin –  e edhe nëse të njohin, nuk u mjafton informata se ti ke dashur të vdesësh për atdhe,

dhe sa herë do të prishet moti ty të tregon ashti.

– Sa më askushi njeriu – aq më e madhe nevoja e tij të kacafytet me dikush-in.

– Sa më antitalent poeti – aq më e madhe nevoja e tij që t’i mohojë heronjtë e shkrimit.

– Dikush kujton se bëhet shkrimtar i madh veç nëse e mohon të madhin – nëse guxon të thotë se ‘Kadare nuk është shkrimtar i madh’.

– Polici i frustruar i paqes mendon se bëhet i guximshëm, nëse e nënçmon heroin e luftës.

– Pra, kur oborri yt është i mbushur me varre, me vetëdije ti nuk lyp privilegje, por nuk e kupton se pse polici shqiptar së bashku me policin serb në Graçanicë, të pyesin:

– Ku po shkon?

– A je e martuar dhe pse s’je e martuar!

– A s’ke dasht vetë apo t’ka ndodh najsen?

– Ku ke qenë?

– Çka e ke këtë burrin?

– Çka jeni ju ndërmjet vete?

– Kallzo drejt: a keni pi?

– Kam qëlluar një herë në kerr natën vonë duke u kthyer nga një shfaqje e teatrit me disa shqiptarë dhe një hero midis tyre.

Heroi voziste. Na ndali policia.

Polici ishte i lodhur dhe shfaqte padurim.

Veç ideja me dyshu policia në të, heroit i nxehej gjakun. ‘Unë e kam çliruar këtë vend – nuk jam unë ai që i shkel ligjet’…

– duke e ditur se policin e tërheq zanati i policit sepse ka dhunë dhe urdhëra në zanatin e policit, kurse heroi nuk i duron urdhërat sepse është prijës – ndërhyva.

E përbeva ‘pash Zotin’… Ky djali është i ri – as nuk të njeh’!

– Kur i thua heroit ‘nuk të njoh’ bën gabim edhe më të madh.

– Më tregoi dikush, tha, kur këtyre ditëve i tha Kadaresë se të rinjtë nuk e njohin – se nuk lexojnë, …shkrimtari u habit dhe u mërzit: Vërtetë nuk lexojnë më – pyeti!

– Ai e di se është më i miri në botë – por të rinjtë më me qejf i lexojnë statusat e Kimit lidhur me temën se pse ajo kurrë nuk qesh në fotografi – sepse lufton kundër rrudhave.

(Më e dashur sot është lufta kundër rrudhave sesa lufta kundër robërisë).

– Shkrimtari, pa dashur bëhet arrogant, jo pse i nënçmon të tjerët, por të tjerët vërtetë janë më poshtë se Ai.

– Një ditë, duke e kënduar ‘Summertime’ – Mungo Jerry, nipi i habitur më pyeti:

Kim, edhe  ti e di këtë këngë, a?

– Unë duhet të çuditem që ti e di, se është kënga e viteve të ’70-ta, e jo ti të çuditesh me mua…

– Asnjë mendim i mençur nuk e ndal nënçmimin e natyrshëm që gjeneratat e reja (pa dashur) ua bëjnë më të vjetërve.

– Kjo ndodh sepse rinia  gjithmonë shikojnë kah e ardhmja (që ka thënë Khalil Gibran), ndërsa ne jemi e kaluara.

– Duhet pak mirëkuptim për heronjtē, pak kujdes, dhe mbase ndonjë mbledhi urtarësh, ku heroit të lirisë, heroit të letërsisë dhe heronjëve të tjerë, t’u tregohet se ata që të kanë njohur – kanë vdekur.

Dhe të trajnohen ta frenojnë nevojën për t’i thënë askushit ‘kush je Ti’.

– Pa e shkatërruar egon tënde dhe pa u bë hero i heshtjes – e ke çliruar botën, ama nuk e ke çliruar veten: veten e mban peng të egos, dhe në burg të krenarisë.

P.S. Njëri, para disa kohëve, m’u afrua për dashuri me një tendencë shumë interesante:

– Më pëlqen – tha-  shumë, por nuk e kam lexuar asnjë shkrim tëndin.

Kjo është mënyra kur njerëzit ta fshijnë një pjesë të jetës për t’u barazuar me pjesën tënde të mbetur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
30 vendet anëtare të NATO-s kanë nënshkruar protokollet e pranimit…