Hiqet sigurimi kufitar, nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi

25 qershor 2021 | 14:25

Sot në Podgoricë është nënshkruar marrëveshja për heqjen e sigurimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, dhe drejtori i Shoqatës – Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi, Boris Saban, kanë nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për njohjen reciproke të certifikatave të sigurimit për mbulimin e përgjegjësive në shkaktimin e dëmeve ndaj palëve të treta në territoret e ndërsjella në Republikën e Kosovës dhe Malit të Zi.

No description available.

“Kjo është ndër marrëveshjet më të rëndësishme, pasi u hapë rrugën të dyja vendeve për lëvizje të lirë, dhe për ne është një hap drejtë Kartonit të Gjelbër. Kjo marrëveshje është përmendur që 20 vite dhe sot po e finalizojmë”, ka thënë Mazreku, raporton “Epoka e re”.

No description available.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, qytetarët e Kosovës nga 1 korriku nuk do ta paguajnë sigurimin në vlerë 15 euro kur shkojnë në Mal të Zi.

Kjo pagesë u bë sot për herë të fundit.

“E fundit”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, i cili ishte rrugës për të nënshkruar këtë marrëveshje me Malin e Zi.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

(Albulena S. MAVRAJ / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me dopietën e shënuar ndaj Francës në ndeshjen e fundit…