Historiku i burgut të Dubravës – burgu i tmerrit dhe i ferrit katërditor

13 janar 16:44

Shtegtimet nëpër Atdhe (CLXVII)

Shkruan: Berat Luzha

Fshati Dubravë është një vendbanim fushor 7 km nga qyteza e Burimit (Istogut). Është fshat shumetnik, ku jetojnë shqiptarët, serbët, romët, malazezët. Është përmendur për herë të parë në defterin kadastral të Shkodrës të vitit 1485 me emrin Dobrina, kur kishte 10 shtëpi. Mes dy luftërave botërore regjimi i atëhershëm serb i solli në Dubravë 122 familje kolonësh serbë. Pas Luftës së Dytë Botërore këtu erdhën edhe shumë familje shqiptare, boshnjake e rome nga Istogu e rrethina, nga Drenica etj.

Këto familje i blenin tokat nga kolonët, tokat që dikur pushteti ua kishte marrë dhe ua kishte dhënë kolonëve, të cilët i kishin marrë falas dhe i shisnin shtrenjtë. Rreth vitit 1998 fshati kishte 135 shtëpi shqiptare, katër boshnjake, pesë ashkali, 30 rome dhe 12 serbe e malazeze. Gjatë luftës çlirimtare janë djegur e shkatërruar pothuaj të gjitha shtëpitë e shqiptarëve, kurse pas luftës çlirimtare janë shkatërruar shtëpitë e serbëve të fshatit. Në mars të vitit 1999 e tërë popullsia shqiptare e fshatit është dëbuar nga shtëpitë drejt Rozhajës, Ulqinit e kufirit me R. e Shqipërisë.

Në fshatin Dubravë në vitet ’80-ta është hapur Burgu i Dubravës ose zyrtarisht i quajtur Qendra Ndëshkuese – Korrektuese Istog. Burgu ka filluar të ndërtohet në vitin 1979 dhe ka përfunduar në fund të vitit 1986, kur, me vendimin e Kuvendit të KSA të Kosovës është bërë hapja zyrtare e tij. Për kohën kur ishte ndërtuar ishte një burg apo një kompleks burgu nga më të mëdhatë dhe më modernët në Evropë. Mirëpo, brenda mureve të tij zbatohej sistemi ndëshkimor i Serbisë, duke përfshirë edhe torturat mbi të burgosurit, posaçërisht mbi të burgosurit politikë shqiptarë.

Burgu i Dubravës apo Qendra Korrektuese e Dubravës, me kapacitet prej 1175 të burgosurish, është burg i tipit të mbyllur. Burgu përfshinë sipërfaqen prej 10 hektarësh, nga të cilët 24 hektarë janë të rrethuar me murin e lartë. Hapësirat e burgut ndahen në dy pjesë; në zonën e banueshme, ku janë të vendosur të dënuarit nga tre muaj deri 15 vjet dhe në zonën bujqësore. Brenda mureve burgu ndahet në pavijone, e pavijonet në kategoritë me mbikëqyrje, me mbikëqyrje të përforcuar dhe e tipit të hapur.

Aty është edhe stacionari apo spitali i burgut, pastaj shkolla fillore dhe shkolla e mesme, salla e teatrit, salla e sporteve, dy fusha sportive, tri punëtori profesionale, biblioteka, salla e leximit, dy ferma blegtorale, etj. Gjithashtu, të burgosurit angazhohen me punë në kuzhinë, furrë të bukës, lavanderi, kopshtari, rrobaqepësi, automekanik, blegtori, bujqësi, në mirëmbajtje të hapësirave të burgut etj. Në punëtoritë e burgut të burgosurit mund të vijojnë kurse dhe trajnime për gjellëbërës, kuzhinier, furrtar, agjustator, saldues, hidroinstalues, makineri, elektricist, zdrukthtar, ndërtimtar, si dhe trajnime për programe kompjuterike. Të burgosurit kategorizohen në katër lloje të regjimit të mbajtjes së burgut; themelor, standard, të përparuar dhe gjysmë të hapur.

Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së burgu ishte shfrytëzuar si bazë e njësisë speciale të milicisë serbe dhe në afërsi ishin vendosur edhe njësitë ushtarake me arsenal kundërajror. Në atë kohë burgu ishte përdorur edhe si qendër e keqtrajtimeve, torturave e vrasjeve të shqiptarëve të pafajshëm. Për ta liruar burgun për forcat ushtarake e policore, në vitin 1998 autoritetet serbe i kishin tërhequr të burgosurit shqiptarë nga burgu, duke i transferuar nëpër burgjet e Serbisë. Por, pas njoftimeve se së shpejti do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake serbe, të burgosurit shqiptarë çuditërisht i rikthyen nga burgjet e Serbisë. Për të burgosurit shqiptarë po përgatitej një plan apo një skenar i ri, sigurisht për t’i përdorë ata si mish për top. Kështu, qelitë e Burgut të Dubravës ishin mbushur përsëri me të burgosur shqiptarë, të sjellur nga burgjet e Serbisë. Ato momente, kur po përgatitej më e keqja, në burg ishin 1004 të burgosur, prej të cilëve vetëm 30 ishin serbë.

Pasi Burgu i Dubravës ishte shndërruar në një bazë të forcave serbe, prej nga aeroplanët e NATO-s ishin gjuajtur me raketa kundërajrore, ishte bërë cak i bombardimeve të NATO-s. Aeroplanët e NATO-s e sulmuan Burgun e Dubravës dy ditë, më 19 maj dhe më 21 maj. Nga të dy sulmet e NATO-s janë vrarë 23 të burgosur, janë plagosur shumë të tjerë dhe në burg është krijuar kaos i vërtetë.

Sulmet e NATO-s mbi Burgun e Dubravës i shfrytëzoi Serbia për të kryer një masakër të rëndë mbi të burgosurit e pambrojtur, njërin nga krimet më të rënda mbi njerëzit e pambrojtur, por që janë të mbrojtur me konventa ndërkombëtare. Më 22 maj, gjoja për të rivendosur rendin e rregullin, autoritetet i urdhëruan të burgosurit të rreshtohen në oborrin e burgut, kur pabesisht ndaj tyre hapet zjarr: Zjarri vinte nga muret e burgut e nga kullat e rojeve duke gjuajtur të burgosurit me snajperë, mitraloza, armë automatike, granata.

Edhe në 24 orët në vijim rojet e burgut, milicë e të burgosur serbë i sulmuan dhe vranë shumë të burgosur shqiptarë që ishin fshehur nëpër vende të ndryshme në hapësirat e burgut. Gjithsej, në ato katër ditë të tmerrit në Burgun e Dubravës u vranë, së paku, 117 dhe u plagosën mbi 200 të burgosur. Gjatë katër ditëve të masakrës, pos organeve të burgut, situatën e kanë marrë në dorë edhe pjesëtarë të milicisë speciale serbe dhe disa të burgosur të përzgjedhur serbë, duke përfshirë edhe udhëheqjen politike të Beogradit, të cilët planifikuan dhe organizuan krimin më të rëndë i bërë ndonjëherë në ndonjë burg të botës.

Në mesin e të burgosurve politikë në Burgun e Dubravës ishte edhe intelektuali i shquar, Ukshin Hoti. Pasi dënimi i tij 5-vjeçar i kishte përfunduar, ishte liruar një ditë para skadimit, ditën e diel, më 16 maj 1999, kur nuk punonte administrata e burgut. Menjëherë, pas daljes nga porta e burgut, autoritetet serbe ia humbën gjurmët. Kështu, që nga atëherë nuk dihet më për vendndodhjen apo vendprehjen e këtij atdhetari të madh. Fatin e Profesorit Ukshin Hoti e kanë pas edhe shumë të burgosur tjerë shqiptarë.

Për masakrimin e të burgosurve shqiptarë Serbia e fajësoi NATO-n, me pretendimin se të burgosurit u vranë nga bombat e NATO-s. Kurse NATO tha se Dubrava ishte një objektiv i rëndësishëm ushtarak, një kamp për stërvitje ushtarake dhe është sulmuar si një objektiv legjitim ushtarak. Pra, NATO ra në skenarin e kobshëm të fashistëve serbë, për çka pësuan rëndë, me jetë e me plagë të përjetshme qindra të burgosur shqiptarë.

Edhe pse ka dëshmi të mjaftueshme të të mbijetuarve dhe dëshmi të ekspertëve, edhe pse janë përgatitur shumë kallëzime penale, edhe pse ka gjetje të forta të forenzikës, deri sot nuk është marrë asnjëherë me këtë vepër gjenocidale asnjë gjykatë dhe asnjë prokurori as në Kosovë, as në Serbi dhe as në Hagë!

Me rastin e 20-vjetorit dhe në përkujtim të të rënëve në masakrën e Burgut të Dubravës, në oborrin e burgut është ngritur Lapidari i Masakrës në Burgun e Dubravës me emrat e skalitur të të gjithë të rënëve dhe të plagosurve.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe bar

Mund të jetë një imazh i ambiente të brendshme

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i ambiente të jashtme

Mund të jetë një imazh i ambiente të brendshme dhe korridor

Mund të jetë një imazh bardhezi i 2 persona, fëmijë, njerëz të ulur dhe ambiente të brendshme

Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë dhe ambiente të jashtme

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
PSG-ja është e vetëdijshme se nuk mund të presë më…