HISTORIKU I PANOS ME FOTOGRAFINË E SKALITUR TË JASHARËVE

13 mars 2019 | 11:03

Lulëzim ETEMAJ

Shkrimin tim të fundit, “Zëri i Kosovës, ‘Bota e re’ dhe fotografia e Jasharëve”, rreth historikut të fotografisë së Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit, me emblemën e UÇK-së në prapavijë, të publikuar për herë të parë në këto dy gazeta mbështetëse kryesore të luftës së UÇK-së, e kam konsideruar të papërfunduar për faktin se mungonte edhe historiku i panos së mermerit, e vendosur në hyrje të kullave të Jasharëve, me po këtë fotografi të skalitur të heronjve.

Në fakt, ky historik është një historik tërësisht më vete. Fillesën e tij e shënon koha e pasçlirimit të Kosovës, përkatësisht viti 2000. Përderisa, siç kam shkruar më herët, fotografia e heronjve ishte punuar (në dhjetor 1998 dhe mars 1999) nga kryeredaktori i “Zërit të Kosovës”, preshevari Adnan Asllani, tani ideja e gdhendjes së të njëjtës fotografi në pllakë mermeri dhe vendosjes si pano tek kullat e Jasharëve, vjen nga  artisti i telentuar për gdhendjen e fotografive në mermer, tetovari Bajramali Idrizi, me qëndrim në Danimarkë.

Ideja e Idrizit e gjen përkrahjen unanime të miqve të tij, anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), si dhe strukturave drejtuese të Fondit të UÇK-së “Vendlindja Thërret”: Musa Krasniqi, kryetar i fondit dhe simpatizant i LPK-së, Xhemil Idrizi, i vëllai i Bajramali Idrizit, nënkryetar i fondit, Ibrahim Xhemajli, sekretar i fondit, njëherësh edhe anëtar i strukturave kryesore drejtuese të LPK-së në Danimarkë, si dhe Abdylbaki Ademi, arkatar i fondit.

Pas mbi 500 orë punë të bëra nga artisti i talentuar autodidakt, Bajramali Idrizi, i cili me mjeshtri të rrallë, përkushtim e dashuri të madhe i gdhend me gjilpërë diamanti në pllakën e zezë të granitit figurat e heronjve tanë kombëtarë Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari, vepra monumentale është gati për t’u përcjellë në Prekazin heroik. Pllaka peshon 255 kg, ndërsa ka kushtuar 3000 marka të kohës së atëhershme. E gjitha ndodhë një vit pas çlirimit të Kosovës, gjatë muajve korrik-gusht të vitit 2000.

Sfida kryesore: transportimi i veprës artistike në Kosovë. Destinacion është Maqedonia, ndërsa dërgimi bëhet përmes shërbimit logjistik ndërkombëtar, të njohur si “DHL”, i themeluar në vitin 1969 në San Francisko nga Adrin Dalsey, Larry Hillblom dhe Robert Lynn, i cili aktualisht ka mbi 510 000 të punësuar në mbi 220 vende të botës.

Me të arritur në Maqedoni, dërgesa kthehet prapa nga maqedonasit. Ky kthim prapa nuk e dekurajon grupin që merrej me dërgimin e pllakës së mermerit në Kosovë. Përkundrazi, pasi e gjithë pllaka ngjyroset me ngjyrë të bardhë nga artisti Idrizi, për t’ia mbuluar përmbajtjen, ajo dërgohet sërish përmes “DHL”-it në Maqedoni. Pas ndalimit nëntëditësh që i bëhet nga maqedonasit, falë përkushtimit të Xhemil Idrizit dhe Avzilatif Xhemailit, të cilët i dhanë mito një maqedonasi shumën prej 950 markash, pllaka mund të tërhiqet nga dogana maqedonase. Paraprakisht, Xhemil Idrizi merr pushim nga puna në Danimarkë për të shkuar enkas në Maqedoni, që të merrej me tërheqjen e saj.

Avzilatif Xhemaili është gjithashtu tetovar. Tani ai është një nga afaristët më të suksesshëm në Tetovë dhe Prishtinë. Gjatë kohës së luftës në Kosovë ka dhënë kontribut të posaçëm duke e furnizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me barna, madje edhe duke paguar njerëz, shqiptarë të Kosovës, për t’i dërguar barnat në mal për mjekimin e plagëve të ushtarëve të lirisë.

Kalimi i doganës së Maqedonisë, nuk paraqet kalimin e të gjitha pengesave të kthimit të Jasharëve të skalitur tani në mermer në shtëpinë e tyre, në Prekaz të Drenicës. Kufiri i Kosovës, kjo është pika tjetër e zhvendosjes së sfidës. Pengesa e hyrjes e ka një arsyetim krejt banal: “Punimi është sjell për shitje, prandaj nuk mund të hyjë në Kosovë”. Por Xhemil Idrizi dhe Avzilatif Xhemaili, të cilët po merreshin personalisht me organizimin e transportimit për në Kosovë, nuk janë nga ata që ndalen lehtë në realizimin e qëllimit të tyre.

Biseda telefonike e Avzilatif Xhemailit me një mik të tij në Kosovë bën që t’u hapet kufiri dhe lejohet hyrja. Këtu përfundon edhe detyra e maqedonasit, që ishte paguar për nxjerrjen e pllakës nga dogana dhe duart e policisë maqedonase dhe sjelljen e saj deri në kufi.

Vepra monumentale e Bajramali Idrizit transportohet nga Ferizaj, vendlindja e Ibrahim Xhemajlit, në Prekaz me një mjet të  kryetarit të “Feniksit”, Milaim Jashari, ish i burgosur politik, me të cilin Xhemalji kishte qëndruar në burgun e Pozharevcit.

Pas bisedës telefonike, që e zhvillon me të Ibrahim Xhemajli, cicëroni në atë kohë i kompleksit, Rifat Bejta, tregon mirëkuptim dhe shpreh përkrahjen e tij për vendosjen e pllakës në hyrje të kullave të Jasharëve, ku ndodhet që nga ajo ditë. Paraprakisht pllakës i është hequr ngjyra me të cilën ishte ngjyrosur për të mbuluar përmbajtjen e saj për shkaqet që është shkruar më lartë.

Duke qenë se në fillim portretet e heronjve Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari, të gdhendur në pllakën e mermerit, ishin vetëm bardhë e zi dhe jo me ngjyra, siç ishin në fotografinë origjinale të botuar nga gazeta “Zëri i Kosovës” në prag të njëvjetorit të rënies së tyre heroike, artisti Bajramali Idrizi nuk e konsideronte veprën e tij ende të përfunduar.

Një vit më vonë, shkon sërish në Prekaz. Kësaj here për t’u dhënë figurave ngjyrën e tyre të natyrshme. Atë e shoqërojnë Ibrahim Xhemajli dhe Avzilatif Xhemaili. Ndërsa për pastrimin e nevojshëm të pllakës së mermerit nevojitej një lëng kimik i posaçëm, i cili sipas udhëzimeve mund të blihej në ndonjë punëtori që merrej me ngjyrosjen e automjeteve.

Grotesku që i paraprinë ngjyrosjes së figurave të heronjve: Shkon Ibrahim Xhemajli në Skenderaj dhe hynë në një punëtori për të blerë lëngun për pastrimin e pllakës së mermerit. Meqë bie në sy si i “huaj”, pyetet se prej nga është dhe përse kishte ardhur. Pasi Xhemajli e tregon qëllimin e qëndrimit në Skenderaj dhe çfarë kërkonte në këtë punëtori, punëtori i saj i thotë ta ketë pasur shok Adem Jasharin.

Në fund, Xhemajli, i cili kishte udhëtuar enkas nga Danimarka për t’u marrë me vendosjen e panos, duke bartur vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, e kërkon faturën për ta bërë pagesën. Paguan pesë markat që i kërkohen dhe, duke qenë i indinjuar me këtë qëndrim të “shokut” të Adem Jasharit, i drejtohet me këto fjalë: “Mirë e kuptova se sa shok e paskeni pasur Adem Jasharin, kur nuk jeni në gjendje pesë marka t’i sakrifikoni, kurse ne, dy persona, kemi ardhur nga Danimarka, duke e lënë punën dhe duke paguar shpenzimet vetë, pa menduar fare se po shpenzohemi”. Punëtori e mbyll gojën dhe e ul kokën i turpëruar.

Pas rreth 2-3 ditësh punë, Bajramali Idrizi i bën Jasharët e skalitur prej tij mjeshtërisht në pllakën e mermerit të flasin përmes ngjyrave të shumta. Përjetësimi artistik i Adem, Shaban dhe Hamëz Jasharit, nga panoja e vendosur në hyrje të kullave, shpërfaq heroizmin e tyre dhe të familjes, nga më të rrallët në të gjithë historinë e njerëzimit. Iu tregon vizitorëve të shumtë, se kush ishin pronarët dhe dalzotësit e atyre kullave, dalzotësit dhe kthyesit e dinjitetit të Kosovës dhe shqiptarëve, flijimi i të cilëve ia hapi rrugën pakthyeshëm çlirimit, lirisë dhe pavarësimit të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kanë pritur në…