Hoti: Menaxhim katastrofal i parasë publike, ja një fakt i thjeshtë

06 dhjetor 2022 | 15:05

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se buxheti i shtetit është duke u menaxhuar në mënyrë katastrofave.

Ai ka thënë se sikur të ulej TVSh-ja dhe të hiqej akciza, “sot nuk do të kishim 700 milionë euro në llogari të qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni”.

“Menaxhim katastrofal i parasë publike, ja një fakt i thjeshtë. Agjencia e Statistikave vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2 për qind  mesatarisht. Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7 për qind, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm.  Sikur të ulej TVSh-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë”.

“Sikur të ulej TVSh-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700 milionë euro në llogari të qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. Rreth 300 milionë euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi. As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, të shoqëruar…