Hoti në Berlin: LDK-ja është kundër shkëmbimit të territoreve

05 qershor 2019 | 11:17

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti dhe deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, kanë marrë pjesë në takimet e nivelit të lartë në Berlin mbi konkurrencën gjeoekonomike dhe Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Konrad Adenaur Stiftung dhe Këshilli Ekonomik i CDU-së.

Në këtë konferencë, Hoti nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook”, ka bërë me dije se kanë diskutuar për liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Postimi i plotë i Hotit”

Me deputeten Hykmete Bajrami morëm pjesë në takimet e nivelit të lartë në Berlin mbi konkurrencën gjeoekonomike dhe Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Konrad Adenaur Stiftung dhe Këshilli Ekonomik i CDU-së.

Në ditën e partë të vizitës, bashkë me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u takuam me zyrtarë të lartë, si Gunther Oettinger, Komisionier për Buxhet në Komisionin Evropian, me të cilin shtruam nevojën që mbështetja buxhetore e BE-së për Kosovën të jetë e orientuar në projekte të mëdha dhe visibile, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Në takimin me Dr Joachim Bertele, i ngarkuar për çështje të sigurisë në kabinetin e kancelares, diskutuam për liberalizimin e vizave dhe dialogun Kosovë-Serbi, ku theksuam qëndrimin e LDK-së se tema e këmbimit të territoreve nuk duhet të hapet, duke përshëndetur qëndrimin e Gjermanisë lidhur me këtë.

Në takime të tjera, si me Sekretarin Parlamentar të Ministrisë Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike, Presidentin e nderit të Këshillit Ekonomik të CDU-së, Kurt Lauk, deputetët e Bundestagut Patrick Sensburg dhe Marian Wendt, Frenk Priess nga KAS-i, Martin Henze dhe të tjerë, u diskutua gjerësisht roli që duhet të ketë BE-ja në Ballkan karshi insistimit të madh të Kinës për të qenë prezentë në rajon.

Në ditën e dytë të qëndrimit, morëm pjesë në konferencën e Këshillit Ekonomik të CDU-së, ku të pranishmëve iu drejtuan kryetarja e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetari i Bundestagut Gjerman, Wolfgang Schauble, kryetari i grupit parlamentar të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, ministri Federal i Shëndetësisë, Jens Spahn, kryetari e i FDP-së, Christian Lindner, dhe personalitete të tjera.

Kosova është e bekuar që ka miq si Gjermania, e udhëhequr nga CDU-ja, parti simotër e LDK-së në kuadër të familjes më të madhe politike në Bashkimin Evropian, EPP.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka liruar nga detyra zëvendës…