Hoti: Për çështje madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi

20 dhjetor 2017 | 08:35

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga paslufta.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se e vetmja punë e madhe e kësaj qeverie është numri enorm i anëtarëve të saj.

“Kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga viti 1999. Është formuar për të kryer punë të mëdha, ndërkaq e vetmja punë e madhe është numri enorm i anëtarëve të kabinetit qeverisës, me 22 ministra, pesë zëvendëskryeministra, mbi 70 zëvendësministra e që, bashkë me stafin përcjellës, bëjnë mbi 520 persona”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka thënë se përbërja e koalicionit qeverisës është e tillë që nuk siguron funksionim efikas të ekzekutivit.

Hoti ka bërë me dije se kryeministri Haradinaj e ka të pamundur të marrë vendime pa pajtimin e partnerëve të vegjël.

“Prandaj, kjo qeveri është e brishtë, sepse shumica parlamentare është shumë e ngushtë, përbëhet nga partnerë të vegjël që përcaktojnë fatin e qeverisë dhe që janë të motivuar për të mos lejuar progres në Kosovë. Mbi të gjitha, i pari i qeverisë vjen nga partia e pestë në Kuvendin e Kosovës, prandaj me vetëm 10 deputetë e ka të pamundur të determinojë çfarëdo nisme legjislative ose vendim madhor”, është shprehur Hoti.

Sipas tij, plani i qeverisë 2017-2021 nuk reflekton nevojat e shoqërisë dhe premtimet elektorale të partnerëve të koalicionit.

“Është e qartë për të gjithë se kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më tutje. Premtimet për punë të mëdha kanë qenë farsë dhe mashtrim elektoral. Nuk mund të kryhen punët e mëdha me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Nuk mund të kryhen punët e mëdha kur varesh në çdo vendim nga partnerë të vegjël”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se mocioni i votëbesimit është një nga opsionet për rrëzimin e kësaj qeverie.

Në këtë intervistë Hoti ka folur edhe për çështjen e demarkacionit, duke thënë se LDK-ja, vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë lidhur me këtë çështje. Sipas tij, mosratifikimi i kësaj marrëveshje i ka lënë qytetarët e izoluar. “Qëndrimi i LDK-së është i qartë siç ka qenë gjithmonë. Mosratifikimi i kësaj marrëveshje i ka lënë qytetarët e izoluar. Pa asnjë argument, disa parti politike e kanë bërë këtë çështje kauzë të veprimit politik. Tash janë zhveshur nga çdo argument i paqenë që kanë pasur dhe nuk dinë si të veprojnë”, ka thënë ai.

Hoti ka vlerësuar se për çështjet madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi dhe, sipas tij, e kaluara ka dëshmuar se konsensusi mund të arrihet.

Në këtë kontekst, Hoti ka thënë se disa parti politike duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme, të kërkojnë falje dhe të tregojnë se janë të përkushtuar për t’i lëvizur proceset përpara. “Për çështje madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi. Kosova ka dëshmuar në të kaluarën se konsensusi mund të arrihet. Por, në këtë rast, disa parti politike duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme, të kërkojnë falje dhe të tregojnë se janë të përkushtuara për t’i lëvizur proceset përpara”, ka theksuar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se duhet të…