Hoti për tenderët njëburimor: Të bëhet një auditim dhe të aktivizohen mekanizmat e hetimit parlamentar

21 shkurt 2024 | 10:46

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur disa çështje lidhur me prokurimin publik në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Hoti ka përmendur përsëri tenderët njëburimor që janë rritur ku janë nënshkruar rreth 78 milionë euro.

“Çfarë po ndodh me prokurimin publik në Kosovës në vitet e fundit? 1. Tenderët njëburimor janë rritur si kurrë më parë. Raporti i BE-së thekson se 21% e prokurimeve janë kryer përmes negocimit pa procedurë të hapur tenderuese. Vlera e kontratave të nënshkruara me negocim është 78 milionë euro, apo 14% e gjithë vlerës së kontratave të nënshkruara. Me siguri shumë të madhe, shteti po paguan më shtrenjtë krahasuar me tenderimin e hapur me shumë oferta”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Më tutje, ai ka folur dhe për ankesat që bëhen në OShP.

“2. Numri i ankesave që ofertuesit dorëzojnë në Organin Shqyrtues të Prokurimit është shumë i lartë, rreth 1,200 ankesa brenda vitit. Shumë prej ankesave miratohen, duke i detyruar institucionet publike të rivlerësojnë ofertat, apo të anulojnë aktivitetin e prokurimit. Pasojat e kësaj janë investimet kapitale më të ulëta historikisht në Kosovë. Është e pakuptueshme që nuk aktivizohet plotësisht prokurimi elektronik i instaluar që nga Qeveria Mustafa, i cili duhet të lidhet me të gjitha sistemet në institucione të ndryshme për të siguruar transparencën e plotë”, ka shkruar ai.

Hoti ka propozuar disa veprime: “Prandaj, është tepër e nevojshme që: (i) fillimisht të ndërmerret një auditim gjithëpërfshirës për këtë problematikë, si dhe (ii) të aktivizohen mekanizmat e hetimit parlamentar për të ekzaminuar këtë problem, i cili potencialisht po i kushton buxhetit miliona euro humbje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës, Rrahman…