Hoti: Ta heqim nga tavolina e dialogut temën e korrigjimit të kufijve

25 nëntor 2018 | 16:49

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kërkuar që tema e korrigjimit të kufijve të largohet nga tavolina e dialogut me Serbinë.

Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se përfaqësuesit e popullit, nëpërmjet zgjedhjeve të reja duhet t’i japin Kosovës një qeveri stabile.

Postimi i plotë i Hotit:

Pavarësisht se Kuvendi është jofunksional për shkak të mungesës së shumicës parlamentare, Grupi Parlamentar i LDK-së të premten i dha mbështetje ligjeve që lidhen me agjendën e integrimit evropian të Kosovës. Ky veprim është në përputhje me qëndrimin e LDK-së që të mos bëhet opozitë në çështjet e interesit shtetëror siç janë: ushtria, integrimi evropian dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Ne presim që në ditët në vijim të gjejmë konsensusin e nevojshëm për të nxjerrë vendin nga kriza. Gjendja në të cilën jemi kërkon përgjegjësi të lartë shtetërore nga të gjithë.

Duhet sa më parë të nxjerrim dialogun nga qorrsokaku ku e ka futur presidenti Thaçi, me temën e korrigjimit të kufijve dhe kryeministri me mos ushtrimin e përgjegjësisë së tij kushtetuese.

Tema e korrigjimit të kufijve duhet urgjentisht të hiqet nga tavolina e dialogut dhe t’i pamundësohet çdo zyrtari të flasë për kufijtë. Në këtë drejtim, ne presim që rezoluta të miratohet në Kuvend dhe të gjitha partitë shqiptare të tregojnë kundërshtimin e tyre për këtë temë me veprime konkrete e jo vetëm me fjalë.

Si përfaqësues të qytetarëve, duhet të gjejmë rrugën që, përmes zgjedhjeve të lira dhe të organizuara si duhet t’i japim Kosovës një qeveri stabile, me shumicë që nuk mund të lëkundet nga përfaqësuesit politikë të serbëve për aq kohë sa ata janë të ndikuar nga Beogradi.

Vetëm me konsolidim të brendshëm e me institucione të fuqishme e stabile, në të cilat besojnë qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, mund ta bindim botën demokratike të na pranoje në familje euroatlantike.

Rruge tjetër nuk kemi. Me shtyrjen e këtij konsolidimi institucional të Kosovës përfitojnë vetëm ata që nuk ia duan të mirën Kosovës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të mbledhjes se dy qeverive shqiptare që do…