Hoti takon përfaqësuesit e Departamentit amerikan të Energjisë, bisedojnë për Ujmanin

19 tetor 2020 | 14:10

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim delegacionin nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili kryesohej nga Matthew Zais, me të cilët ka diskutuar për implementimin e projekteve të dakorduara në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas njoftimit për medie të Qeverisë, kryeministri Hoti ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kosovës, në të gjitha periudhat e shtetndërtimit.

“Në këtë takim është diskutuar për nevojat ekonomike dhe energjetike të Kosovës, të cilat burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe implementimin e projekteve të dakorduara në këtë marrëveshje”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Ndërsa, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka njoftuar se në këtë takim është biseduar për hapat e ardhshëm për një studim të fizibilitetit të menaxhimit të burimeve në Liqenin e Ujmanit.

“Delegacioni ndërinstitucional u takua me Hotin për të diskutuar lidhur me marrëveshjen dhe mbështetjen e SHBA-së si dhe për hapat e ardhshëm për një studim të fizibilitetit të menaxhimit të burimeve në Liqenin e Ujmanit”, është shkruar në llogarinë e ambasadës në “Twitter”.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se vikendi në…