Hoxhaj e Apostolova diskutojnë për regjistrimin e popullsisë 2021

28 maj 2019 | 18:06

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilën ka diskutuar për përgatitjet për regjistrimin e popullsisë dhe banesave 2021.

Hoxhaj e ka njoftuar Apostolovan për ecurinë e përgatitjeve për regjistrimin 2021 sipas rekomandimeve të EUROSTAT-it, proces i cili do të implementohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe donatorëve të jashtëm.

Ai ka theksuar se regjistrimi i vitit 2011 është vlerësuar pozitivisht nga EUROSTAT-i dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

“Jemi të përkushtuar për një proces të suksesshëm pasi që këto të dhëna nuk janë të rëndësishme vetëm për sistemin statistikor të Kosovës, por janë kyçe për krijimin e politikave qeveritare, përdoret për qëllime akademike, të shoqërisë civile dh​e medies. Ky proces do ta vendosë Kosovën në hartën e EUROSTAT-it ku të dhënat do të analizohen bashkë me të dhënat e vendeve të tjera nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Hoxhaj ka bërë me dije se Kosova do të organizojë konferencë të donatorëve në lidhje me këtë proces në shtator të këtij viti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mëdhenjtë e tenisit botëror nuk gabuan në ditën e…